Prokurori ia “plas” në sy Tahirit: Ke udhëtuar 5 muaj me makinën që u shite Habilajve

Komisioni i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve pasi mori në shqyrtim provat e reja të sjella nga prokurorët e çështjes kundër ish- ministrit Saimir Tahiri, vendosi që mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura.

Në fund të mbledhjes prokurori i çështjes tha se provat e reja që e implikojnë Tahirin lidhen edhe me udhëtimet e tij jashtë vendit me makinën që u kishte shitur vëllezërve Habilaj.

“Unë do preferoja që asnjë nga kolegët e mi të mos ishin pjesë e këtij diskutimi që u bë pak më parë. Për të bërë dallimin e sjelljes etike në këtë sallë

Ne kemi ardhur që dje kemi paraqitur kërkesën tonë, provat rrethanat për të cilat ne kërkojmë autorizim.

Dje me dyer të mbyllura ne paraqitëm gjithë provat që implikojnë ish-ministrin e brendshëm, sot pjesa mbrojtëse dhe fjala e personit në hetim, ishte që ta përfshinte në diskutim politik edhe prokurorinë.

Këtu flitet për llum politik, mediatik, ne kemi një sjellje shumë etike, morale të gjithë çfarë ne pretendojmë për të marrë një autorizim

Sa për të hyrë tek provat, ne kemi biseda të bëra nga dy njerëz pa pasur asnjë lloj ndikimi, në sjellje normale me njëri-tjetrin, në qetësinë e tyre, që implikojnë në mënyrë të vazhdueshme ish-ministrin, duke përmendur ndihmë që ai u siguron, dhe momente kur duan ti blejnë dhurata që nuk donim ti bënim këtu, por disa të tjera nuk janë bërë publike, dhe shpresoj mos të bëhen. Si ndodhka kështu që pikërisht që gjatë kësaj kohe kur flitet për ish – ministrin e Brendshëm nuk flitet për asnjë njeri tjetër? Ish-ministri i Brendshëm mbi 5 muaj qarkullon me të njëjtin automjet që qarkullojnë edhe personat nën hetim. Ne kemi ardhur këtu pa asnjë lloj ndikimi”, tha ai.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruç nxorri jashtë sallës prokurorët, Saimir Tahirin dhe avokatin e tij, si edhe mediat për të vijuar shqyrtimin e provave dhe për të marrë një vendim përfundimtar.

Sot Komisioni do të vendosë nëse do e çojë për votimi emrin e Saimir Tahirit në seancë parlamentare për t’i hequr ose jo imunitetin, që do të sillte më pas edhe kërkesën e dytë të prokurorisë për arrestimin e tij.

/Gazeta Express

Temat
LajmeRajon

Të afërta