Këto gjyqtare votuan për lirimin e Sekiraqes nga burgu

Njëri prej njerëzve me rrezikshmërinë më të lartë në Kosovë, Enver Sekiraqa, është rikthyer në Dyz, një ditë pas vendimit për masën e “Arrestit shtëpiak”. Lirimi i tij nga burgu nxiti reagime nga të gjitha anët. Reagoi edhe Familja e Triumf Rizës e Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Por, kush ishin gjyqtarët që vendosen ta lirojnë përkohësisht Sekiraqen?

Janë tri gjyqtare – dy ndërkombëtare e një vendore – që kanë vendosur të lirojnë përkohësisht Enver Sekiraqen.

Fjala është për gjyqtaret e Gjykatës së Apelit. Dy janë pjesë e EULEX’it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj. Të tria këto kanë votuar që Enver Sekiraqës, i dënuar me 37 vjet burgim, për pjesëmarrje në vrasjen e policit Triumf Riza, t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Emrat e gjyqtareve që morën vendim për lirimin e Sekiraqes i ka publikuar betimipërdrejtësi.

Por, të shtunën mbrëma, Sekiraqa është rikthyer në Burgun e Dyzit, pasi është vlerësuar se i njëjti e ka thyer masën e vendosur nga Apeli.

Pas lirimit të tij, fjalët më të rënda i ka thënë Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku. Ka thënë se vajzat në Prishtinë, në kohën e paraluftës, më shumë kanë pasur frikë nga Enver Sekiraqa se nga serbët. E ka cilësuar si kriminel i përfshirë në dhunime e vrasje.

“E mbajë mend fare mirë, gjatë viteve të 90’ta, vajzat e Prishtinës më shumë kanë pasë frikë nga Enver Sekiraqa, se nga policia e Serbisë. Një kriminel ordiner, i përfshirë në dhunime, zhvatje, vrasje, sot është i lirë ( kjo puna e burgut shtëpiak është hajgare). Nga gjygjtarë të EULEX dhe të Kosovës”, kishte reaguar Çitaku, në FB, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë, një ditë më parë, fillimisht lajmin për lirimin e Sekiraqës nga paraburgimi e kishte dhënë avokatja e tij, Kosovare Kelemendi. Edhe pse ka thënë se ende nuk e ka marr aktvendimin e Apelit, sipas avokates Kelmendi, në bazë të praktikës gjykata e shkallës së dytë e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të këtij viti, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Ndryshe, në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Temat
LajmeVend

Të afërta