Presidenti Thaçi dekreton të martën gjyqtarët serbë

Presidenti Hashim Thaçi ka vendosur që dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës të bëhet të martën, më 24 tetor 2017.

Ndonëse presidenti serb Aleksandër Vuçiq kishte paralajmëruar që sot ose deri të hënën të bëhej dekretimi, kreu i shtetit të Kosovës vendosi që kjo të ndodhë të martën. Duke iu përgjigjur zyrtarëve serbë dje, në Presidencë kanë thënë për Express se data e dekretimit vendoset në Kosovë e jo nga Serbia.

“Dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

Me aktin e betimit, bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015”, thuhet në njoftimin e dërguar sot për media.

Marrëveshja e Brukselit dështoi të gjejë zbatim të martën, pasi 42 gjyqtarët serbë nuk kanë shkuar për ta bërë betimin te Presidenti Hashim Thaçi, si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës. Për këtë reagoi edhe Brukseli, duke kërkuar që të implementohet marrëveshja e arritur në Bruksel.

Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e muajit gusht në Bruksel, u pajtuan për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për drejtësinë, konkretisht integrimin e gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Kosovës.

Sipas marrëveshjes së arritur, gjyqtarët dhe prokurorët më 17 tetor do të duhej të integroheshin në sistemin e drejtësisë në Kosovë. /Express/

Temat
LajmeVend

Të afërta