Thikë nga nipi, gjyshi vdes pas 6 ditëve në spital, fjalët prekëse para tragjedisë

Ndërron jetë në Spitalin e Traumës 80- vjeçari Shaban Agaj, i cili një javë më parë u godit me thikë nga nipi i tij, në zonën e Freskut në Tiranë.

Ndërron jetë në Spitalin e Traumës 80- vjeçari Shaban Agaj, i cili një javë më parë u godit me thikë nga nipi i tij, në zonën e Freskut në Tiranë.

I moshuari që u plagos ditën kur kishte ditëlindjen, qëndroi 6 ditë në terapi intensive në reanimacion, ku shfaqi komplikacione të martën, duke mos arritur t’u mbijetojë plagëve. Ndërsa bashkëshortja e tij, Hajrie Agaj, e cila po ashtu u plagos në të njëjtën kohë nga djali i vajzës, sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën.

Nisur nga këto rrethana, tashmë ka ndryshuar edhe akuza për autorin e krimit në familje, 19-vjeçarin Beniamin Kaso, që u arrestua menjëherë pas ngjarjes. Tashmë ai akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

“Në vijim të komunikatës që bën fjalë për veprën penale ‘vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ dhe ‘prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta’, më datë 17 tetor, shtetasi Shaban Agaj ka ndërruar jetë në spital”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.

NGJARJA

I riu që plagosi me thikë gjyshen e gjyshin më 12 tetor, sipas Policisë njihet si person problematik në zonë, kryesisht për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike. Madje, burimet thanë se nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë nën efektin e drogës, kur ka goditur me thikë prindërit e nënës së tij.

Beniamin Kaso jetonte me të ëmën në Gjermani, që pas divorcit të prindërve të tij, por herë pas here shkonte edhe te gjyshërit, që jetonin te rruga “Muhamet Deliu”, ku ndodhi ngjarja. Rreth orës 13:00, ai ka debatuar ashpër me gjyshërit në apartamentin ku ata banonin, debat që është dëgjuar edhe nga fqinjët.

Më pas i ka goditur të dy me thikë dhe ka dalë me shpejtësi nga shtëpia, duke u kërkuar disa personave që të lajmëronin Policinë. Sipas burimeve nga Policia, autori i ngjarjes ishte kthyer nga Gjermania disa ditë më parë. Ndërsa debati me gjyshërit ka ndodhur për shkak të një shume parash që e ëma i kishte nisur dhe ata nuk ia kishin dhënë, pasi kishin frikë se do t’i shpenzonte. /Panorama

Temat
LajmeRajon

Të afërta