Përgjimet e drogës, Rama i jep drejtësisë “kokën” e Saimir Tahirit

Kryeminsitri Edi Rama i ka kërkuar autoriteteve ligjzbatuese të bëjnë detyrën dhe t’i shkojnë deri në fund të vërtetës së madhe që u zbulua nga mediat italiane, implikimin e...

Kryeminsitri Edi Rama i ka kërkuar autoriteteve ligjzbatuese të bëjnë detyrën dhe t’i shkojnë deri në fund të vërtetës së madhe që u zbulua nga mediat italiane, implikimin e mundshëm të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në bandën e trafikut të drogës në Itali ku u arrestua Moisi Habilaj, i afërm i Tahirit i konsideruar kreu i bandës.

“Nuk do të falet dhe tolerohet askush. Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam” paralajmëron kryeministri Edi Rama duke e “dorëzuar” para drejtësisë ish-ministrin e qeverisë së tij gjatë mandatit të parë.

Edhe pse shpreh miqësinë që ka pasur me të, Rama thotë se shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën dhe për këtë kërkon hetimin deri në fund të kësaj historie.

“Duam të vërtetën! Sa më parë! Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!

Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.

Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.

Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.

Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”, shkruan Rama në Facebook.

E gjitha shpërtheu pas arrestimit dje të Moisi habilajt, i afërm i deputetit socialist Tahiri, të cilin opozita shqiptare prej vitesh e ka akuzuar se gëzon mbështjetjen politike të Saimir Tahirit.

Habilaj u arrestua në Itali bashkë me 6 persona të tjerë italianë dhe shqiptarë si kreu i bandës së trafikut ndërkombëtar të kanabisit nga vendi ynë drejt shtetit fqinj.

Por edhe pse i akuzuar ndër vite nga opozita në Shqipëri, kryeminsitri Edi Rama është detyruar që reagimin e parë pas përgjimeve që u publikuan nga mediat italiane dhe që përfshinin drejtpërdrejt Saimir Tahirin. Sipas përgjimeve ambjentale që kishin bërë autoritetet italiane, Moisi Habilaj përmendete në bisedat me anëtarët e bandës, Saimir Tahirin si person që e mbështet dhe që duhet t’i jepte “30 mijë euro”.

Ndërsa në një bisedë tjetër të përgjuar thuhet se Tahiri fiton në muaj 5 milionë euro, dhe se këto i harxhon për fushatë elektorale.
/Gazeta Express

Temat
LajmeRajon

Të afërta