Haradinaj për Reuters: SHBA’ja të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh të vendit të tij, që të përfshihet në bisedimet e...

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh të vendit të tij, që të përfshihet në bisedimet e ndërmjetësuara të BE-së mes Kosovës dhe Serbisë që kanë për qëllim zgjidhjen e dallimeve.

Haradinaj ka thënë se pjesëmarrja e SHBA-së është qenësore për t’i çuar bisedimet përpara.

“Roli amerikan është i nevojshëm për paqen”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Reuters. “Rolin e Amerikës në tavolinë e shohim si nevojë thelbësore”.

Bisedimet do duhet përfunduar me njohje reciproke të shtetësisë “mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Haradinaj tha se deri në fund të vitit, qeveria e tij do të nënshkruajë një marrëveshje me kompaninë amerikane të energjisë elektrike “ContourGlobal” për një termocentral 1 miliard eurosh me thëngjill.

Kompania me seli në Nju-Jork ishte e vetmja ofertuese për termocentralin 660 MW që do të zëvendësojë Kosovën A, 40 vjet të vjetër.

Projekti është kritikuar nga ambientalistët, që thonë se Kosova duhet të mbështetet më shumë në burime me energji të ripërtërishme sesa në thëngjill.

“Do të ketë teknologji të pastër të avancuar dhe do të garantojë energji të mjaftueshme për 20 vjetët e ardhshme”, tha Haradinaj në këtë intervistë.

Temat
LajmeVend

Të afërta