Agim Veliu padit për shpifje kandidatin e VV-së për kryetar të Podujevës Ajet Poterën

Kryetari i tanishëm i Podujevës dhe kandidati për ta marr këtë post edhe në katër vitet e ardhshme, Agim Veliu, ka ushtruar padi ndaj kundërkandidatit nga Vetëvendosje, Ajet Potera.

Nëpërmes një njoftimi për media, thuhet se Veliu ka ushtruar padi ndaj Poterës për shpifje.

“Sot, më datë 16 tetor 2017, me kërkesën dhe autorizimin e z. Agim VELIU, aktualisht Kryetar i Komunës së Podujevës dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Podujevë, është ushtruar padi për shpifje kundër z. Ajet Potera, kandidat për kryetar të komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se objekti i padisë ka të bëjë me një deklaratë të Poterës në një televizion.

“Objekti i padisë ka të bëjë me deklarimin e z. Ajet Potera, në emisionin “Interaktiv” të mediumit KOHA Vision (KTV), të datës 10 tetor 2017, i cili në mes tjerash kishte deklaruar se Agim Veliu kishte marrë haraç për dhënien e një leje të biznesit. Agim Veliu i cilëson këto deklarime si të pavërteta, tendencioze dhe me qëllimin e vetëm për të dëmtuar reputacionin e tij dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Veliu pret nga Gjykata që të aprovojë kërkesëpadinë si të drejtë dhe të ligjshme brenda një afati kohor te arsyeshëm”, thuhet në njoftim./Lajmi.net/

Temat
LajmeVend

Të afërta