Erdogan s’e përmend Kosovën para Vuçiqit, flet fjalë të mëdha për miqësinë serbo–turke

Vizita e liderit turk në Serbi erdhi disa ditë pasi që ai e kishte kontestuar shtetësinë e Kosovës gjatë një fjalimi për referendumin e kurdëve të Irakut. Shefi i shtetit turk ka zgjedhur të heshtë për Kosovën në Beograd, për dallim prej zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë të cilët ia kujtojnë Serbisë obligimet në raport me Kosovën sa herë që takohet me zyrtarët e shtetit serbë.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan është pritur me nderime të larta në Serbi. Krerët më të lartë të shtetit serb, Presidenti, Kryeministrja dhe Ministri i Jashtëm kishin dalë në Aeroportin e Beogradit për ta pritur Erdoganin dhe Eminen, Zonjën e Parë turke. Erdogan atje kishte marrë me vete rreth 200 afaristë. Dy palët, gjatë qëndrimit në Serbi të Erdogan, kanë folur fjalë të mëdha për miqësine mes dy vendeve, ndërkohë që për t’ia bërë më të këndshëm qëndrimin Sulltanit turk, është kujdesur Daçiq, i cili ka kënduar këngë orientale.

Në një nga fjalimet e tij, shefi i shtetit turk, para auditorit, kishte thënë se dikush mund të xhelozojë për këtë vizitë dhe takimin serbo-turk të këtij niveli. Nuk dihet saktësisht se kë e ka pasur në mendje kur e ka thënë këtë Erdogan, por ai ka vazhduar duke thënë se Serbia është shteti kyç në rajon.

Për t’ia bërë qejfin nikoqirit Vuçiq, Erdogan ka zgjedhur të mos e thotë asnjë fjalë për Kosovën, të cilën Turqia e ka njohur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Siç dihet, secili burrështetas që qëndron në Beograd, nisur nga Merkel, zyrtarë të lartë evropianë e amerikanë, nuk harrojnë pa e përmendur normalizimin e raporteve me Kosovën si një kusht që BE ia ka vendosur Serbisë. Por, Erdogan ka zgjedhur të mos e përmendë fare këtë temë. Erdogan ka zgjedhur të flasë për raportet e tensionuara me Ambasadën amerikane, për Sanxhakun, ndërkohë që ka theksuar se Turqia nuk e përkrah asnjë nacionalizëm. Ai madje ka fajësuar “fuqitë e mëdha” duke thënë se ato janë shkaktare për gjithçka të keqe që ka ndodhur në Ballkan.

Herën e fundit kur Erdogan e ka përmendur Kosovën është me rastin kur ka komentuar referendumin e kurdëve të cilët i ka porositur se nuk mund të bëjnë shtet vetëm me mbështetjen e Izraelit. Me këtë rast ai ua ka kujtuar Kosovën kurdëve, duke u thënë se Kosova nuk po bëhet shtet as me 114 njohje.

Temat
Lajme

Të afërta