Ekskluzive: Përplasja e Vetëvendosjes me RTK-në për këngën e Minatorit

Lëvizja Vetëvendosje dhe Radiotelevizioni i Kosovës sërish janë përplasur. Arsyeja këtë herë është kënga “Krejt njëjtë” e bendit rok “Minatori”, pjesë e të cilit është edhe Mufail Limani, zëvendësdrejtor i RTK-së. Vetëvendosja pretendon se me këtë këngë, Limani është përfshirë ne propagandë kundër qeverisjes së kësaj partie në Prishtinë. Për këtë ata kanë refuzuar ta dërgojnë në debat kryetarin Shpend Ahmeti në televizionin publik, të cilit si duket më së shumti do t’i konvenojë kjo për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme në debatet zgjedhore.

Të gjitha këto shkëmbime ndërmjet zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe VV-së janë zhvilluar me anë të telefonatave dhe e-maileve. Gazeta Express jua sjell këtë komunikim të kryeredaktorit të RTK-së, Xhymret Veliu, dhe zyrtarit për media të Vetëvendosjes, Adonis Tahiri.

Përveç kësaj RTK-ja ka bërë edhe një reagim të ashpër ndaj Vetëvendosjes ku thuhet “jemi të tronditur që një parti tashmë e etabluar politike, që është pjesë e pushtetit, e Parlamentit tonë dhe e dhe vendimmarrjes dhe përgjegjësive serioze shtetërore në Kosovë, përmes një shkrese zyrtare guxon të trajtojë dhe të gjykojë edhe veprat e artit”, theksohet në reagim.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e menaxhmentit të RTK-së dhe e-mailet e kryeredaktorit Veliu dhe zyrtarit të VV-së.

Reagim i menaxhmentit të RTK-së:

Permese nje shkrese nga shtabi zgjedhor i Vetevendosjes, RTK eshte njoftuar se Shpend Ahmeti nuk do të lejohet te marrë pjesë ne debatet për zgjedhjet komunale te Prishtinës.

Si arsye për këtë vendim është permendur publikimi i kengës i rok grupit Minatori “Krejt njejtë” dhe shënimi që drejtori i përgjithshëm i RTK ka bërë lidhur me ketë ngjarje.

Ky acarim i sërishëm, i krijuar për shkak të një kënge , përbën një moment të ri.

Jemi të tronditur që një parti tashmë e etabluar politike, që është pjesë e pushtetit, e parlamentit tonë dhe e dhe vendimmarrjes dhe përgjegjësive serioze shtetërore në Kosovë, përmes një shkrese zyrtare, guxon të trajtojë dhe të gjykojë edhe veprat e artit.

Kjo parti, e as të tjerat, nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë.

Me fjalë të tjera, për RTK është i papranueshëm trajtimi i tillë etiketues e demonizes i institucionit, i stafit dhe menaxhmentit të RTK, që janë po ashtu edhe shtetas dhe qytetarë të këtij vendi, që lirshëm mund të merren edhe me film, muzikë, pikturë, skulpturë, letërsi e cfarëdo fushe tjetër të artit.

Kënga e Minatorit “Krejt njejtë” në RTK ka marrë vëmendjen e duhur si një ngjarje e vecantë kulturore muzikore, sikur edhe rastet e ngjashme e të krahasueshme, dhe nuk ka aspak të bëjë me fushatat zgjedhore.

Po ashtu përsërisim se RTK,duke mbetur brenda kornizave të veta ligjore e brenda standardeve profesionale, nuk mund dhe nuk duhet kurrë t’i nënshtrohet modelit të imponuar ose të sugjeruar se “kush nuk është me neve, është kundër neve”, kjo do të ishte vrasje e vlerës themelore të shoqësë demokratike: plurlarizmit!

Në fund, ne sërish shprehim gadishmërinë e plotë të Radio televizionit publik të Kosovës që, sikurse edhe ne fushatën e kaluar për zgjedhjet lokale, kur organizuam ballafaqimin mes Isa Mustafës e Shpend Ahmetit, të përmbushim misionin tonë ligjor dhe profesional në përfaqësimin e kandidatëve dhe të fushatave të tyre në programet tona, në këtë rast për kandidatin Shpend Ahmeti, njejtë sikur edhe për kandidatët tjerë të respektuar, si Arben Abrashi, Lirak Celaj, Selim Pacolli (edhe emrat e te tjereve)…

Më poshtë e-maili i kryeredaktorit të RTK-së:

Përshëndetje Adonis,

Po ju shkruaj duke ju referuar telefonates paraprake me Ju, ku me thate se Shtabi Zgjedhor LVV ka vendosur qe kanditati Juaj per Prishtine te merr pjese vetem ne tri debate zgjedhore, duke perjashtuar institucion publik transmetues – RTK-ne.

Me duhet te ju them me siguri te plote RTK eshte duke organizuar debate me te gjitha komunat e Kosoves duke mos perjashtuar asnje kandidat dhe deri tani kemi treguar qasje korrekte dhe profesionale me te gjithe kandidatet dhe partite politike. Per kete mund t’i pyesni kandidatet Tuaj qe kane qene te pranishem ne RTK, por kete ka mundur ta ndjen edhe z. Ahmeti ne intervisten e tij me anliste ne RTK qe u mbajte dite me pare.

Duke mos dashur te implikohem me politikat Tuaja partiake dhe menaxhimet e brendshme te fushates kerkoje nga Ju qe me shkrim te me shpejgoni pse eshte marre ky vendim dhe kriterin e percaktimit se si eshte marre nje vendimi te tille, pra mospjesemarrje ne debatin e RTK-se.

Megjithate Radio Televizion i Kosovës, kemi bërë një plan gjatë kësaj fushate për zgjedhjet lokale 2017, ku kemi paraparë t’u japim hapësirë të gjitha komunave të Kosovës, ashtu edhe siç e kërkon ligji.

Zakonisht stafi jone ka kontaktuar direkt me kandidatët për kryetar komunash, në mënyrë që të gjejmë kohën e përshtatshme për të gjithë dhe mos të mungojë askush në debat, pos atyre që nuk duan të marrin pjese vullnetarisht.

Ne kemi bërë kërkesën edhe më parë tek z. Shkodran Hoti dhe më vonë edhe tek Ju, që të kemi një datë kur mund ta xhirojmë apo transmetojmë drejtpërdrejt debatin me kandidatët për kryetar të komunës së Prishtinës, por deri më sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, megjithate ne vijim keni propozimet tona se kur mund të jetë prezent kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, në RTK, në këto data, por qe duke harmonizuar edhe ma kandidatet e tjere,

Ju lus qe me shkrim te me konfirmoni arsyjen e refuzimit, eventualisht nese nuk eshte vendim definitiv te percaktoni nje orar xhirimi apo transmetimi direkt i cili mund te merret si pikenisje per konsulta me kanditatet te tjere.

Me respekt,

Xhymret Veliu

Kryeredaktor RTK1

Më poshtë e-maili i Adonis Tahirit

Përshëndetje Xhymret,

Ne si shtab zgjedhor për Prishtinën, vendosim se në cilat emisione merr pjesë z. Shpend Ahmeti, e në cilat jo, varësisht axhendës që kemi. Duke qenë kështu, kemi pranuar me kohë kërkesat nga të gjitha televizionet dhe i kemi shqyrtuar një nga një. Kërkesa nga RTK ka ardhur shumë më vonë, atëherë kur veç është përpiluar kalendari i debateve ku ne do të marrim pjesë.

Megjithatë, më 4 tetor, z. Ahmeti ka qenë në një nga emisionet në RTK. Pra kemi pasur mirëkuptim për vonesën e kërkesës tuaj, dhe nuk ju kemi përjashtuar apriori. “Rastisi” që në po të njëjtën datë, drejtori dhe zëvendësdrejtori i juaj të dilnin me propagandë të hapur kundër qeverisjes sonë në Prishtinë, mu në mes të fushatës (shihe të bashkëngjitur).

RTK quhet televizion publik, dhe do duhej të ishte i tillë. Por, ky rasti i fundit veç ma thellon bindjen që RTK vazhdon të jetë një hallkë në zinxhirin e institucioneve të kapura nga pushteti. RTK tashmë është palë në fushatën për Prishtinën.

Duke qenë kështu, nuk mendoj që duhet të ju japim arsye shtesë për mospjesëmarrje në debatin që keni planifikuar për këtë komunë.

Gjithë të mirat,

Adonis Tahiri

Temat
LajmeVend

Të afërta