Sikur UÇK-ja, t’i kishte 60 mij ushtarë (lexo; veteranë që sot (s)marrin paga), atëbotë, deri në Beograd i kishim hy Serbisë😕!

Shkruan: Fadil Maloku, sociolog

1.Ajo që e kam thënë edhe me herët pra, se është absurde gara për të fituar statusin e veteranit, pjesëtarit apo pjesëmarrësit të UÇK-së, pa qenë fare të tillë. Është absurde dhe paradoksale edhe për arsye se sjellja e tillë indolente çon një mesazh shumë të keq për qytetarët se edhe në luftë paskan bërë hile; dhe se aty (disa prej këtyre matrapazëve) paskan qenë aksidentalisht.

2. Gjithashtu, është turp i madh futja në lista e njerëzve të politikës, biznesmenëve, e familjarë komandantësh pa qenë fare në luftë.

3. Edhe më absurde dhe më e turpshme është shpallja e njerëzve të shëndoshë si molla, invalid të luftës!

4. Të hysh në konkurrencë me njerëz që kanë humbur gjymtyrë, pasuri e edhe jetën për idealin e lirisë, është kulmi i paturpësisë.

5. Apo edhe më keq; t’i fusësh në lista akraba, miqtë, klientelistët, në cilësinë e vendimmarrësit (lexo: komandantit!), kur dihet botërisht se të njëjtit as me një gjygym uji s’i kanë kontribu luftës së 99-tës.

6. Kjo dëshmon paradoksin e keqinterpretimit të qëllimshëm të një soji të mentalitetit tonë social për situatën dhe atmosferën historike, siç ishte ajo e vitit 1999, ngase, sikur të ishin gjithë këta “pjesëmarrës”, “invalid”, e “luftëtarë” të sakrifikuar për lirinë e Kosovës, jam shumë i bindur që s’do kishim nevojë fare për NATO-n.

7. Kjo në fund të fundit dëshmon edhe për një korrupsion të lartë moral, etik, social dhe padyshim institucional, ngase, “hartuesit” e këtyre listave gjithsesi është dashur paraprakisht të jenë shumë më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm.

Temat
Opinione

Të afërta