E pabesueshme por Haradinaj mund të prish koalicionin qeverisës

Qeveria e re e Kosovës ka shqyrtuar, votuar dhe miratuar programin qeverisës dhe i njëjti është proceduar për në Kuvendin e Kosovës.

Programi është votuar ditë më parë nga të gjithë ministrat, përveç atij të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili ka abstenuar.
Haradinaj nuk është marrë me votën e Rikalos, por duke përshkruar në pika të shkurtra programin që qeveria pret ta realizojë pas kalimit në Kuvend, ka thënë se në epiqendër të tij është rritja ekonomike dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Analistët politikë kanë vlerësuar se një veprim i tillë i ministrit të Bujqësisë, dëshmon se Qeveria e ka të vështirë funksionimin, pasi pushteti është fituar nga koalicionet e jo nga një parti. Ata kanë parashikuar që jetëgjatësia e Qeverisë, e cila kontrollohet drejtpërdrejtë nga Beogradi, do të jetë minimale.

Tahiri: Çdo votim i Listës serbe në Kuvend, torturë e pazar për Haradinajn

Se kryeministri Haradinaj do të varet drejtpërdrejtë nga votat e Listës serbe, e ka thënë edhe analisti Mentor Tahiri. Ky i fundit, ka theksuar se Qeveria do të jetë e varur edhe nga “harmonia e brishtë” ndërmjet palëve të ndryshme të interesit të cilat janë sistemuar brenda kabinetit.
“Qeveria aktuale është kabinet ekzekutiv më i fragmentuar gjatë gjithë historikut të Shtetit të Kosovës. Vetë fakti se ka pesë zëvendëskryeministra, tregon se sa e komplikuar do të jetë vendimmarrja dhe sa të rënda do të jenë kompromiset. Secili nga zëvendëskryeministrat janë shefa në vete. Ndonëse kjo nuk është bërë shumë publike sa i përket aranzhimeve me Listën Serbe, megjithatë në rastin e marrëveshjes PAN-AKR, shihet qartë se kryeministri ka pranuar që të mos jetë shef i ministrave që vijnë nga AKR. Pak a shumë kjo logjikë është edhe në relacion me parti tjera, kurse vetë kryeministri është shef i drejtpërdrejtë i vetëm dy ministrave nga radhët e AAK-së. Qeveria e Kosovës jo vetëm që varet drejtpërsëdrejti nga votat e Listës Serbe, por varet edhe nga një “harmoni” e brishtë ndërmjet palëve të ndryshme të interesit të cilat janë sistemuar brenda kabinetit”, është shprehur analisti Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Tahiri ka vlerësuar se Qeveria do të duhet të bind për çdo votim ministrat serbë dhe se çdo votim do të jetë një pazar në vete.

“Qysh tani ka disa çarje të cilat e vënë në dyshim nëse sot ekziston një shumicë parlamentare e pozitës. Sinjale të tilla vijnë edhe nga NISMA, kurse abstenimi gjatë votimit në Qeveri i Ministrit të Bujqësisë i cili vjen nga Lista Serbe, tregon se Qeveria e Kosovës në përbërjen çfarë është do të duhet të bindë Listën Serbe për çdo votim. Kjo do të jetë torturuese gjatë votimit të ligjeve në Kuvend, kurse çdo votim do të jetë pazar në vete”, ka shtuar analisti Mentor Tahiri.

Edhe analisti Nexhat Haziri, konsideron se abstenimi i ministrit Rikalo, është problem serioz i raporteve mes partnerëve të koalicionit qeverisës. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Haziri ka theksuar se Lista serbe përmes këtij veprimi, i ka treguar Haradinajt, se duhet t’ia përmbush të gjitha kërkesat e saj, me kushtin që të jetë pjesë e qeverisë së drejtuar nga ai.
“Abstenimin e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo, për plan-programin e qeverisë Haradinaj, duhet parë si një problem serioz të raporteve në mes partnerëve të koalicionit qeverisës, sidomos me problemet qe do të dalin me Listën Serbe, e cila edhe një herë dëshmoi se në Qeverinë e Kosovës është vetëm për t’i çuar përpara agjendat e tyre anti shtet, anti Kosovë, agjenda këto që përgaditën në Beograd dhe realizohen përmes Listës Serbe. Dhe ky abstenim shpresoj se ia ka hapur sytë edhe vetë kryeministrit Haradinaj, dhe ia ka bërë me dije se nëse e do Listën Serbe në qeveri, e cila faktikisht e ka në dorë fatin e qëndrushmërisë së kësaj qeverie, duhet t’ia përmbush të gjitha kërkesat e saj, të cilat janë antikushtetuese dhe në shërbim të politikës së Beogradit zyrtar për ta penguar forcimin e shtetësisë së Kosovës”, ka vlerësuar analisti Haziri.

Sipas tij, Haradinaj duhet të vendos nëse do të qëndrojë në pushtet dhe t’ia plotësojë dëshirat Beogradit, apo të bëjë të kundërtën, duke “sakrifikuar” edhe koalicionin.

“Është në dorën e kryeministrit Haradinaj që të zgjedhë në mes të ambicieve të tij të sëmura për pushtet, e cila do të thotë të qëndruarit në pushtet me çdo kusht, pra duke ia plotësuar edhe kërkesat Listës Serbe, që faktikisht janë të Beogradit, apo të vendos për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj, që kjo do të thotë mos pranimin e kërkesave të Listës serbe që prekin substancën e shtetit të Kosovës, qoftë edhe me çmimin e prishjes së koalicionit”, ka thënë Haziri.

Ndërsa, sipas politologut Hidajet Ahmeti, veprimi i ministrit të Bujqësisë, është sinjal se Lista Serbe, fizikisht do të jetë pjesë e Qeverisë Haradinaj, por institucionalisht do të veprojë e punojë brenda urdhrave të Serbisë.
Ahmeti ka vlerësuar se “Qeveria Haradinaj është ndër qeveritë më të dobëta të pasluftës, dhe jetëgjatësia e saj do të jetë minimale”, duke treguar pafuqinë politike të tij.

“Haradinaj me këtë qeveri megalomane nuk është për të qeverisur, por për t’u bërë kryeminister. Që nga fillimi ka qenë e ditur se Qeveria Haradinaj do të ketë veprime dualiste në raport me vijën institucionale. Në njërën anë Lista Serbe e cila do të veprojë e punojë brenda kornizës së urdhrave të Serbisë, kurse në anën tjetër pjesa e partitë shqiptare të koalicionit, duke qenë të çakorduar në veprimet e saj, por gjithsesi brenda kornizës institucionale. Veprimi i ministrit të Bujqësisë për plan-programin e Qeverisë Haradinaj është sinjal i qartë se Lista Serbe, fizikisht mund të jetë pjesë e Qeverisë Haradniaj, por institucionalisht do të veprojë e punojë brenda urdhrave të Serbisë. Kjo dis harmoni e jo integrim brenda kabinetit qeverisës, përkthehet në stabilitetin, jetëgjatësinë e brishtë, por edhe pafuqinë politike të Qeverisë Haradinaj. Veprime të tilla jashtë kornizës institucionale, kushtetuese ligjore janë dëshmi e qartë se Qeveria Haradinaj është ndër qeveritë më të dobëta të pasluftës, dhe jetëgjatësia e saj do të jetë minimale”, është shprehur Hidajet Ahmeti.

Ndryshe, ministri Rikalo, ishte temë debati që nga ardhja e tij në këtë post, për shkak të akuzave të banorëve të lagjes “Dardania” të Prishtinës, për keqtrajtim të shqiptarëve në vitin 1999. Por, Qeveria dhe organet përgjegjëse, Prokuroria dhe Policia, nuk kanë ndërmarr ende asnjë veprim ndaj tij.

Temat
LajmeVend

Të afërta