Kush pagoi qëndrimin, drekat e darkat e Pacollit dhe 12 zyrtarëve të MPJ’së në New York?

Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka shkuar në New York, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, bashkë me 12 zyrtarë të MPJ’së dhe Presidentin Hashim Thaçi. Kanë qëndruar në hotel “W” në New York. Por, kush i ka paguar gjithë ato shpenzime?

Delegacioni i Kosovës që ka udhëtuar për në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së është vendosur në hotelin luksoz “W” në të njëjtin qytet. Aty kanë shkuar Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli me 12 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me Presidentin Hashim Thaçit.

Por, kush i ka paguar gjithë shpenzimet e qëndrimit në këtë hotel të delegacionit kosovar?

Përveç dhomës së Thaçit që e ka paguar Presidenca, shpenzimet tjera, janë paguar nga paratë e Behgjet Pacollit, kanë treguar burime të Gazetës Express.

Përveç fjetjes, edhe drekat dhe darkat në takimet me zyrtarët e vendeve të ndryshme janë paguar me kartelë private ë Zëvendëskryeministrit të Parë.

Pacolli, po ashtu, ka udhëtuar për në New York me aeroplanin privat.

Delegacioni i Kosovës ka qëndruar gjithësejt gjashtë ditë në njërin prej hoteleve luksoze të New Yorkut.

Është rast tepër i rrallë kur një zyrtar i Shtetit paguan udhëtime zyrtare me paratë private. Deri tash praktika ka qenë krejt ndryshe. Zyrtarët e Shtetit kanë paguar biletat më të shtrenjta dhe hotelet luksoze me paratë e Shtetit.

Behgjet Pacolli ka marrë pozitën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe është bërë Shef i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në koalicionin me PDK, AAK e NISMA’n, Pacolli ka marrë edhe tri Ministri tjera.

Temat
LajmeVend

Të afërta