Karriera apo familja – apo që të dyja

Karriera po bëhet pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e jetës së femrës bashkëkohore, ndërkaq familja mbetet vatër e sigurt në të cilën kthehet çdo ditë. Dhe, gjithnjë e më shumë femra po ballafaqohen me problemet në harmonizimin e obligimeve afariste të cilat kërkojnë shumë energji dhe kohë dhe familjes e cila kërkon kujdes.

Për shumë gra, të koordinojnë familjen dhe punën mbetet një detyrë e vështirë. Që të arrish t’i mbijetosh orareve të zyrës dhe shkollës, detyrave të fëmijëve dhe atyre të përditshme, kërkon një organizim prej prove të bombës! Ja këshillat tona, pa kaluar në panik.

Që të jeni të realizuar në punë dhe në të njëjtën kohë të keni një jetë familjare të kënaqur, shpesh është një sfidë e vërtetë! Në Angli gratë konsiderohen akoma si “engjëjt e vatrës”, kurse në Gjermani, nënat që u besojnë fëmijët e tyre një ‘baby-sitter’, quhen “nëna sorrë”.

Në të kundërt, Zvicra synon mbi barazimin total të sekseve, kurse në Francë, nënat që punojnë mund të shfrytëzojnë shumë ndihma shtetërore (çeqe familjare, azile publike apo reduktim të taksave për angazhimin e një ‘baby-sitter’), transmeton Telegrafi.

Rregullat e arta për nënat që punojnë

Organizohuni! Koha mund të jetë armiku juaj më i keq, por në të njëjtën kohë edhe arma juaj më e mirë; e rëndësishme është të dini të organizoheni. Për të shmangur që të gjendeni në minutën e fundit me një milion gjëra për të bërë, mundohuni t’i parashikoni gjërat në fillim. Për shembull, duke bërë gati që në darkë fletoret e fëmijëve, veshjen tuaj për të nesërmen dhe sapo të keni një minutë të lirë të kujdeseni për faturat…

Në qoftë se keni vështirësi në organizim, në fillim të javës mos hezitoni të bëni një listë të gjërave që keni për të bërë: pazarin, vizitat mjekësore, mbledhje pune, pra parashikoni diçka për çdo ditë të javës. Disa nëna që punojnë përgatisin ushqimin e gjithë javës në fundjavë dhe i ruajnë në frigorifer për t’i ngrohur në momentin e duhur.

Në zyrë, vlerësohuni dhe bëni që t’ju vlerësojnë. Tregojuni që të kesh fëmijë, nuk do të thotë të jesh më pak e fuqishme! Bëjani të ditur shefit që punoni shumë: në qoftë se vjen më parë në punë ose hyni më shpejt nga orari i drekës, bëjani të ditur në mënyrë diskrete. Për shembull, duke i dërguar një email kur akoma nuk ka asnjeri në zyrë. Në këtë mënyrë, në qoftë se një ditë do t’ju duhet të dilnit më parë për arsye familjare, asnjeri nuk mund t’ju ndalojë.

Temat
Fun

Të afërta