“Bosët janë të mërzitur, kilja e hashashit ka shkuar sa ajo e spinaqit”

Nënkryetari i Parlamentit Edi Paloka duke folur në seancë plenare tha se Gramoz Ruçit i është refuzuar hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve me krimin.

Paloka tha gjithashtu se Rama 2 do të vazhdojë të jetë qeveria e krimit dhe drogës.

“Kryetari i sapo zgjedhur i parlamentit akuzohet se për shkak të lidhjeve kriminale i është refuzuar viza në SHBA. Asnjë sqarim për këto akuza, përveç deklaratave të Ramës që është krenar për të.

Ministri i Brendshëm është vëllai i një të dënuar për trafik droge. Për këtë ekzistojnë të gjitha dokumentet, por ne nuk duhet ta themi se na akuzojnë për luftë klasash. Këta ministra do të jenë gurët që do të lëvizë Rama për të realizuar planin e tij të vjetër. Ai është njeriu që më shumë se kushdo ka qenë më shumë në pushtet, por jo për të mirë të shqiptarëve.

Sheh e dëgjon disa nga ata që në rrjetet sociale bërtasin lereni qeverinë të punojë se akoma nuk ka filluar punë dhe mund të fillosh të dyshosh se Rama i parë nuk ka lodhje me të dytin. Fajin e paska pasur vetëm LSI, Tahiri, Beqaj dhe meqë po e shoh aty mbase edhe Eglantina Gjermeni, më fal që të përmenda emrin.

Ta lëmë qeverinë të punojë edhe për 4 vitet e ardhshme. Se me siguri arritjet do të vazhdojnë. Në fushën e rendit dhe sigurisë asnjë kriminel, asnjë bos nuk do preket se është Rama që nuk gjen dot vrimë për tu future prej tyre. Do vazhdojnë të fuqizohen dhe do marrin dorë në gjithë Shqipërinë.

Bujqësi, qeveria do kujdeset që kanabisi mos kultivohet pa kontroll, se ende janë tunelet të mbushur nga superprodhimi i vitit të zgjedhjeve dhe bosët janë të mërzitur se ka vajtur kilja e kanabisit sa ajo e spinaqit”, tha ai.

Temat
LajmeRajon

Të afërta