Më në fund flet Jakup Krasniqi, tregon se a do të jetë ministër i arsimit

Nismës për Kosovën iu nda Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por duket se ajo do ta ketë problem për të gjetur prijësin ideal të këtij dikasteri. Sot u përfol Jakup Krasniqi si mundësi për ta udhëhequr këtë dikaster, mirëpo ai nuk mendon ashtu.

I kontaktuar nga Gazeta Metro, Krasniqi ka mohuar se emri i tij po diskutohet për të qenë ministër, shkruan gazetametro.net.

“Nuk ka gjë të vërtetë nga ai lajm”, ka thënë Krasniqi për Metron.

Madje, Krasniqi ka thënë se për Arsimin duhet angazhim i gjithë faktorëve, por ai është shprehur skeptik se ‘arsimit do t’i qasen me gjithë mend’. Ai dyshon në koalicionin e ri, pasi thotë se nuk e din që kjo përbërje politike mund ta marr seriozisht arsimin.

“Nuk e di sesa kjo përbërje politike është e gatshme që arsimit t’i qaset me gjithë mend?”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi madje ka thënë se duhet shumë guxim për t’u përballur me problemet e Arsimit në këtë, siç ai e quan, ‘katrahurë politike’. I pyetur se nëse i kërkon Nisma që të jetë ministër a do ta pranonte, Krasniqi ka thënë se Nisma e di përgjigjen.

“E keni përgjigjen, edhe Nisma e di përgjigjen. Duhet shumë guxim për t’u përballur me problemet e arsimit në këtë katrahurë politike”, ia ka thënë Krasniqi.

Dyshimet e Krasniqit ndaj koalicionit që po krijon institucionet nuk janë të reja. Ai madje nuk kandidoi në zgjedhjet e 11 qershorit, pasi siç u mësua nuk është i kënaqur me zhvillimet në partinë e tij dhe bashkëpunimet me partitë e tjera.

Temat
LajmeVend

Të afërta