“Shqipëria, parajsa e re e pushimeve: Deti një mrekulli, me 7 euro ngopesh me peshk të freskët”

“Duke sfiduar paragjykimet, vendi i shqiponjave është gati të fluturojë”.

Kështu e mbyll artikullin për Shqipërinë, Giuseppe Spatola për Libero Quotidiano, publikuar në 21 gusht.

Ai shkruan i mahnitur për bukuritë e bregdetit të jugut, ushqimet e lira e të shijshme dhe jep mesazhin se shqiptarët kanë zbuluar se ata i kanë të gjitha mundësitë që të jetojnë pa u larguar nga atdheu i tyre.

Më poshtë artikulli:

Dhjetë ditë në Shqipëri për të zbuluar një qoshe të harruar nga Italia. Kush vendos që të udhëtojë drejt vendit të shqiponjave nuk mund të injorojë historinë që ka lidhur dhe lidh akoma të dy vendet. Binjakëzimi fillon të kuptohet pasi ke përshkruar kilometra nga Tirana në drejtim të Beratit, duke shkuar në Himarë dhe Ksamil, Gjirokastër dhe Korçë, e më pas në Vlorë, ku deti i kristaltë, bunkerët e socializmit dhe terreni malor po i japin zemër turizmit të një destinacioni të ri me kosto të ulët.
Shqipëria është një vend i tëri për t’u zbuluar, shumë larg nga turizmi klasik i masës. Edhe pse pjesa më e vështirë është paragjykimi i atyre që e kujtojnë vendin vetëm me anijet famëkeqe dhe nuk e kuptojnë se është bregu tjetër i rivierës Puliane dhe Greke. Sigurisht që Shqipëria duhet të bëjë shumë për të fituar një vend krah destinacioneve të tjera europiane, por hapi i parë është ndërmarrë tashmë.

E kanë kuptuar dhe në Bruksel, nga ku është financuar me rreth 1.5 milionë euro rruga e re e detit të Vlorës, me projektues kryesor Italinë. Shumë keq që autostrada përfundon dhjetëra kilometra para kryeqytetit të jugut, më kantierë të bllokuar prej dështimit të shoqërisë së ndërtimit, që duhet thënë që është një firmë italiane.

Udhëtimi

Pjesa më e vështirë është pikërisht udhëtimi, me tragetet që të kujtojnë anijet e vjetra dhe rrugët, që jo gjithmonë janë në lartësinë e duhur. Me 725 euro një familje me katër persona, si kjo e imja, paguan për kalimin nga Brindisi në Vlorë.

Qëndrimi në Vlorë, në një hotel me katër yje ishte rekord për kursimet: 10 ditë për vetëm 700 euro në një suitë familjare në pikun e sezonit, që diku tjetër “do të binte kokës”.

Deri këtu shumë mirë, po çmimet? Për atë që e ka merak portofolin, Shqipëria është një parajsë, ku një pjatë linguni kushton 500 lekë (pak më shumë se 3 euro sipas kursit zyrtar) dhe një shezllon, plus çadër e paguan për një minimum nga 150 në 250 lekë.

Me pak fjalë: vende shumë të bukura, shumë afër me Italinë dhe me një leverdi të dukshme ekonomike. Destinacioni i ri i turizmit (sidomos i familjes) në mënyrë të pashmangshme anon nga jugu i Shqipërisë. Bregdeti shtrihet për 363 kilometra dhe pothuajse të gjitha plazhet janë të lira.

Në afërsi të Vlorës ka plazhe shumë të këndshme si Paradise Beach, perfekte për fëmijët, ose si Orikumi, me ujëra të qarta si kristal. Aty afër, mali i Llogarasë, ju ofron mundësinë të shihni një panoramë të mrekullueshme. Ujërat blu, pika e takimit midis Adriatikut dhe Jonit, dhe ishujt e veriut grek, Diapondie, shfaqen në sfondin e kësaj panorame të këndshme natyrore. Bregdeti i jugut ka plazhe për të gjitha shijet. Dhërmiu është i egër dhe ju lejon të arrini në shpellën e bukur Pirate pranë detit. Drimadhes është një gji i madh me rërë të bardhë i rrethuar nga bimësia e dendur. Më tej është plazhi i Palase, për të jetuar në paqe dhe liri.

Në këto parajsa akoma edhe sot vigjëlojnë qindra bunkerë të braktisur me të cilët diktatori Enver Hoxha mendonte ta mbronte vendin e tij nga një pushtim që në fund nuk ndodhi kurrë. Dhe sot, që po ndodh pushtimi paqësor i italianëve, gjermanëve dhe francezëve, shqiptarët kanë zbuluar se ata i kanë të gjitha mundësitë që të jetojnë pa u larguar nga atdheu i tyre.

Pranë Dhërmit, ushtarët kanë lënë të lirë një nga vendet simbolike të bregdetit, plazhi i pacenuar i Gjipesë që hapet në këmbët e një kanioni natyror. Gjithçka falas, sigurisht, ku e vetmja gjë që duhet paguar është parkimi (100 lekë) së bashku me lodhjen për të ecur të paktën 30 minuta rrugë të vështirë para uljes në plazh.

Në restorant

Poshtë, në mesin e kapanoneve, Elvisi (që mamaja, e ka quajtur me emrin e këngëtarit, duke injoruar diktimin e izolimit të imponuar nga komunizmi) drejton restorantin nën bimën e fierit. Me 11 mijë lekë për shtatë vetë mund të hash shumë mirë peshk, pulë, perime dhe birrë. Jo vetëm. Në të gjithë segmentin rrugor deri në Sarandë në kufi me Korfuzin mund të shijosh natyrën e detit blu dhe ushqime, ku qepa është bazë në çdo pjatë.

Nuk mund të lini pa parë Porto Palermo, me fortesën e saj të ndërtuar nga Alì Pasha dhe portin e vogël, që u përdor nga sovjetët për të fshehur nëndetëset në Adriatik. Më tej, në jug, malet janë më të shpërndara dhe arrini në plazhet e ngushta midis shkëmbinjve në Sarandë. Kjo e fundit është bërë Montekarlo e Shqipërisë me hotele bregdetare të mëdha të mbushura plot, plazhe të mbuluara nga çadra dhe lokalet e modeli Ibiza si dhe Gjetjet arkeologjike të Butrintit (një teatër i madh romak dhe një bazilikë e hershme e krishterë). Pra, duke sfiduar paragjykimet, vendi i shqiponjave është gati të fluturojë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta