Afati i Pacollit s’shihet si ultimatum në LDK

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se kërkesën e ditëve më parë të kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, që LDK të merret vesh me Vetëvendosjen brenda 10 ditësh për një bashkëpunim në qeverisjen e vendit, nuk e sheh si të ultimatum, por si një shprehje të tij për tejkalim të situatës.

“Me Pacollin, LDK ka një marrëveshje dhe nuk dyshoj në të. Se çka ndodh nesër, unë s’e di. Por besoj se LAA është një koalicion i fuqishëm, kohesiv dhe konstruktiv dhe takohemi shpesh, gjithmonë jemi bashkë”, tha Selmanaj në Interaktiv të KTV-së.

“Edhe Pacolli është kundër koalicionit me PDK-në. Megjithatë, është zgjedhje e tij se çfarë bën. Asnjë lëvizje politike nuk më befason. Por, nuk do t’ia dëshiroja prezencën e AKR-së koalicionit ku është edhe PDK”, thekson deputeti i LDK-së.

“Ne si LDK, nga përvoja, konsiderojmë se PDK është partner jo-serioz për të bashkëqeverisur”, tha ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta