Në shtator merr ‘frymë’ Unaza e Madhe, merr fund trafiku mbytës në Tiranë

Në shtator Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë funksionale për qytetarët. Për pak ditë pritet të hapet edhe segmenti më i rëndësishëm i saj, i cili lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke i dhënë zgjidhje kështu problemit të trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.

Pas përfundimit të veprës së mbikalimit te zona e Shkollës Teknologjike, punimet janë në 600 metrat e fundit që përshkojnë zonën e Selitës dhe që e lidhin Unazën me pjesën ekzistuese në afërsi të Kopshtit Botanik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot punimet dhe u shpreh i kënaqur me ritmin me të cilin po ecin ato.

“Ky është një projekt jetik për qytetin, një arterie kryesore e cila sjell trafik, duke lidhur dy pika, Farkën dhe Kasharin, dy zona të populluara të Tiranës, pra gjithë zonën e Kodrës së Diellit, Kristalit, Njësinë 5 me Kombinatin Ushqimor. Sigurisht, ky është një projekt i madh, që do të thotë se edhe ritmi që kemi pasur në kaq pak muaj ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndaj jam shumë krenar për të gjithë kolegët, nga inxhinierët deri tek punëtorët më të thjeshtë, që kanë punuar ditë e natë, një pjesë e madhe prej tyre kanë sakrifikuar pushimet e verës, që kur pjesa tjetër e Tiranës të kthehet nga pushimet, ta gjejë këtë aks të përfunduar”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai bëri të ditur se veç punimeve për pjesën kryesore të këtij projekti, në shtator do të kenë përfunduar punimet edhe për të gjitha elementët e tjerë shtesë dhe sekondar, siç janë ndriçimi, rrugët dytësore, trotuaret apo mbikalimet për këmbësorët. “Ambicja jonë është që para fillimit të vitit shkollor, të kemi përfunduar të gjitha punimet në Unazën e Madhe të Tiranës, që lidh zonën nga Kombinati Ushqimor, deri te zona e Lundrës. Do u kërkoj të gjithë qytetarëve pak durim, bëhet fjalë për punime me makineri të rënda, për shpronësime, për infrastrukturë jetike për qytetin, do të thotë se na duhet jashtëzakonisht shumë bashkëpunim”, tha Veliaj.

Veliaj njoftoi se me nisjen e vitit të ri shkollor në muajin shtator do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve. “Në fillim të vitit shkollor, do të risjellim në fuqi të gjithë regjimin e trafikut që përdorim gjatë muajve shkollorë. Do të thotë që orët e mëngjesit janë të dedikuara kryesisht për trafikun familjar, ndërkohë që vetëm pasi ka filluar ora e mësimit mund të rifillojnë ata që bëjnë furnizimin e dyqaneve. Ne besojmë se në qytetin tonë janë shumë më të rëndësishëm nxënësit, se sa patatinat e çamçakëzët që edhe mund të presin, sa të ketë filluar ora e mësimit”, përfundoi Veliaj.

Temat
LajmeRajon

Të afërta