Trump thotë se ka bërë shaka kur e ka falënderuar Putinin

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kishte bërë shaka kur e ka falënderuar presidentin e Rusisë, Vlaidmir Putin, për urdhërimin e shkurtimeve të mëdha në numrin e personelit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Rusi, duke u shprehur se ky veprim do të mundësonte kursim të parave amerikane.

“Absolutisht, mendoj se ju e dini këtë”, tha mbrëmë Trump, pasi ishte pyetur nga gazetarët nëse ai ishte sarkastik pardje, kur tha se “shumë” i falënderohet Putinit për ndihmën në reduktimin e shpenzimeve të Departamentit të shtetit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, po ashtu tha se Trump “ishte shprehur me sarkazëm” kur i ka bërë këto komente.

Muajin e kaluar, presidenti Putin urdhëroi që Shtetet e Bashkuara ta zvogëlojnë për 755 numrin e të punësuarve diplomatikë në Rusi, në përgjigje të legjislacionit të ri e të ashpër amerikan, me të cilin forcohen sanksionet kundër Moskës, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë dhe për përzierje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Raportohet se Shtetet e Bashkuara i kanë gjithsej 1,200 të punësuar diplomatikë në Rusi.

Temat
BotëLajme

Të afërta