Raporti zbulon arsyen e temperaturave ekstreme

Ndërsa administrata Trump po shqyrton një raport qeveritar që kundërshton pikëpamjet për ndryshimet klimatike, një tjetër raport i OKB-së arrin në përfundimin se njerëzit, me veprimtarinë e tyre, kanë...

Ndërsa administrata Trump po shqyrton një raport qeveritar që kundërshton pikëpamjet për ndryshimet klimatike, një tjetër raport i OKB-së arrin në përfundimin se njerëzit, me veprimtarinë e tyre, kanë bërë që planeti ynë të shënojë temperatura rekord të larta.

Temperaturat e larta rekord, bënë që vitin e kaluar Alberta e Kanadasë të përfshihej nga flakët…

…I nxehti vdekjeprurës ka shkaktuar thatësirë në Indi, duke e zhytur vendin në një krizë uji…

Planeti ishte më i nxehtë se kurrë vitin e kaluar, sipas Raportit të vitit 2016 për Gjendjen e Klimës, të hartuar nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike. Bashkëautori i raportit foli me Skype për Zërin e Amerikës:

“Raporti pohon edhe një herë diçka që ne e dimë. Ne e dimë se jetojmë në një planet që vazhdon të ngrohet. …Dhe e dimë që kjo ka për shkaktuar probleme në mbarë botën,” – thotë studjuesi.

Në raport thuhet se një cikël klimatik El Nino tepër i fuqishëm, ka kontribuar në rritjen e temeperaturave ekstreme, thatësira dhe shira të rrëmbyer.

Këto ndryshime nga vitit në vit po ndodhin njëkohësisht me rritjen e vazhdueshme të përqëndrimit të gazeve që ngrohin planetin, në nivele të papara për të paktën 800,000 vjet.

Në studimin vjetor të klimës së Tokës kanë kontribuar rreth 500 shkencëtarë nga 62 vende të botës. Studjuesi Deke Arndt thotë se tashmë janë të njohura shkaqet e ngrohjes së planetit:

“Ne mund t’i rishikojmë gjithmonë shifrat, për të përcaktuar me saktësi ndryshimet që po ndodhin, por diçka është e qartë: ngrohja e planetit tonë po ndodh kryesisht nga aktiviteti njerëzor.”

Ky përfundim e vë raportin në kundërshtim me politikën për e klimës së administratës Trump. Shefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Scott Pruitt e vë në dyshim faktin në se shkaktarë të ndotjes janë njerëzit.

“Unë besoj se aftësia për të matur saktësinë me të cilën aktiviteti njerëzor ndikon tek klima është një subjekt i debatueshëm,”– thotë ai.

Këto pikëpamje dhe tërheqja e SHBA nga Marrëveshja e Parisit për Klimën ka ngritur shqetësime në mesin e një numri të madh shkencëtarësh, se administrata Trump do t’i japë fund kërkimeve për klimën.

Këta shkencëtarë i dhanë gazetës “The New York Times” një projekt-raport të 13 agjencive qeveritare, ku thuhet se aktiviteti njerëzor është arsyeja parësore për ndryshimet klimatike dhe se për këtë nuk ka shpjegime alternative.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se ishte “zhgënjyese, e megjithatë e pritshme” që the Times “do të shkruante një raport pa e konsultuar më parë përmbajtjen e tij me Shtëpinë e Bardhë”.

Por ajo nuk komentoi lidhur me përmbajtjen e raportit, ku thuhet se “frekuenca dhe intensiteti i motit ekstrem ka shumë mundësi që të rritet në të ardhmen.”

Zyrtarë të administratës pritet ta përfundojnë rishikimin e raportit për klimën deri të premten e ardhshme./VOA

Temat
BotëLajme

Të afërta