Zyrtare: Kosova fiton në tavolinë ndaj Norvegjisë

UEFA e ka regjistruar me rezultat zyrtarë 0:3 ndeshjen mes Norvegjisë dhe Kosovës, e cila është luajtur në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian

Kombëtarja e Kosovës U-21 ka fituar tri pikët e para në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019. Ashtu siç ishte përfolur muajin e kaluar në mediat norvegjeze, këto pikë kombëtarja e drejtuar nga Rafet Prekazi i ka fituar në tavolinë.

UEFA e ka njoftuar FFK-në me një shkresë se Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në mbledhjen e mbajtur më 20 korrik ka vendosur që ndeshjen Norvegji-Kosovë, ta regjistrojë me rezultat zyrtar 0:3, pasi kombëtarja norvegjeze në ndeshjen e zhvilluar më 12 qershor, të cilën e kishte fituar me rezultat 5:0, e kishte aktivizuar një lojtar që nuk kishte të drejtë loje.

Bëhet fjalë për futbollistin Kristoffer Ajer, i cili ishte i pezulluar për shkak të kartonëve, por që luajti gjatë tërë ndeshjes dhe realizoi një gol.

Pa dyshim se këto tri pikë do t’i japin motiv edhe më të madh djelmoshave tanë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e radhës që i zhvillojnë në muajin shtator kundër Norvegjisë (më 1 shtator, si vendas), përkatësisht Gjermanisë (më 5 shtator, si mysafirë). /Express/

Temat
SportVend

Të afërta