Zgjedhjet lokale: A do të vazhdojë avazi i votimit të kandidatëve nga partitë në pushtet

Në të kaluarën shqiptarët e Maqedonisë në zgjedhjet lokale kanë votuar sipas “praktikës” se duhet votuar ai kandidat, partia e të cilit është në pushtet, sepse nëse fiton ai do ta ketë përkrahjen e pushtetit.

Por, kjo gjë nuk ka dalë dhe aq e suksesshme, sepse shumë kryetarë komunash momentalisht i përkasin partisë në pushtet, kurse në të njëjtat komuna gjendja e infrastrukturës është katastrofale, shkruan Gazeta Express.

Analisti Faton Aliti i përgjigjet pyetjes së Expressit, se a mendon se do të votojnë edhe në këto zgjedhje shqiptarët me këtë praktikë, apo ndoshta tani është vetëdija më e lartë dhe shqiptarët kanë dalë nga emblema partiake dhe do të votojnë persona me kredibilitet dhe kualitet profesional.

Aliti thotë se ky konstatim mban pasi është ndjekur një logjikë e thjeshtë se partia në pushtetin qendror do t’i ndihmojë kryetarët e komunave nga radhët e veta, se sa ata që nuk janë pjesë e saj.

“Fatkeqësisht, konstatimi i juaj se një pjesë e mirë e votuesve kanë prirje të votojnë kandidatin e partisë në pushtet është i saktë. Kjo arsyetohet me atë se partia në pushtet do ti ndihmojë Prefektët nga radhët e veta për shkak të favorizimeve zgjedhore.”, thotë për Gazetën Express, Aliti.

Ai më tej vazhdon se kjo tendencë ka qenë e dëmshme dhe se burim i kësaj ka qenë buxheti i vogël i njësive të vetëqeverisjes lokale.

“Më duhet të theksoj se kjo mënyrë e të vepruarit është shumë e dëmshme për shoqërinë. Burimi i kësaj dukurie është te niveli i decentralizimit të pushtetit lokal, gjegjësisht te buxheti i vogël i njësive të vetëqeverisjes lokale. Nga shuma e përgjithshme e TVSH-së së akumuluar në vitin paraprak fiskal, ndahen 4.5% për të gjitha komunat në Maqedoni për vitin e ardhshëm fiskal. Përveç se kjo përqindje është shumë e vogël në krahasim me vendet e rajonit ku ajo është rreth 15%,poashtu metodologjia në bazë të së cilës këto mjete ndahen, si kriter ka vetëm numrin e banorëve,të vendbanimeve dhe sipërfaqen. Gjithashtu Ministri i financave ka të drejtë diskrecionale që të ndajë më shumë mjete për komunë me një vendbanim si për shembull Vevçani, dhe më pak për një komunë me 18 vendbanime si komuna e Zhelinës. Kjo është zgjedhje e keqe ligjore e cila, të themi hipotetikisht, mundëson që gjysmat e mjeteve t’u ndahen 10 komunave, ndërsa gjysmat për 74 komunat tjera. Shembull konkret është Komuna Qendër me projektin Shkupi 2014. Po ashtu është e nevojshme që të ekzistojë edhe mekanizëm në bazë të të cilit do të shihej saktë se cila komunë me sa mjete kontribuon në mbushjen e buxhetit shtetëror dhe sa mjete merr nga po i njëjti”, thotë Aliti.

Sipas tij, ka gjasa që kësaj radhe nuk do të ndiqet kjo politikë e deritanishme e pushtetit qendror dhe që qytetarët të përcaktohen për cilësinë e kandidatëve, përndryshe edhe më tej do të vazhdojë trendi i njëjtë

“Nëse do të bëheshin këto ndryshime vlerësoj se cilësia e kandidatit do të vinte në shprehje më shumë se përkatësia e tij partiake.”, përfundon Aliti./Gazeta Express/

Temat
LajmeRajon

Të afërta