Polici i shpëtoi arrestimit për korrupsion, IPK ‘fsheh’ transkripton e bisedave të tij për ryshfet (Dokument)

Një zyrtar policor i Njësisë së trafikut në “Autostradën “Ibrahim Rugova” nuk është përfshirë në aktakuzën së bashku me 20 kolegë të tij. Videot dhe audioincizimet për të nuk janë përfshirë në dosje.

Insajderi ka siguruar transkripte të këtyre video dhe audioincizimeve të cilat dëshmojnë se edhe ky zyrtar policor merrte ryshfet si të tjerët. Inspektorati nuk ka folur ende për këtë çështje.
Ekrem Xhekaj, është njëri nga policët e autostradës “Ibrahim Rugova” që nuk është arrestuar, suspenduar e akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Atë e ka “pastruar” Inspektorati Policor.

Insajderi ka siguruar transkriptet e bisedave të nxjerra nga videoincizimet e montuara në veturën e njësisë së autostradës, të cilat dëshmojnë përfshirjen e këtij zyrtari në afera korrupsioni. Në shumë raste ai ishte në detyrë dhe i përfshirë në marrje ryshfeti së bashku me kolegun Azem Goxhufi.

Por, Goxhufi është arrestuar, suspenduar dhe akuzuar derisa Xhekaj vazhdon punën në të njëjtën njësi.

Në nëntor të vitit të kaluar Inspektorati kishte ndërmarrë një aksion të arrestimit të mbi 50 policëve të cilët dyshohet se merrnin ryshfet nga qytetarët në trafik.

Ekrem Xhakaj është pjesë e njësisë së bashku me të akuzuarit Muhamet Buzhala, Alush Elshani, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gërguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Ndërkohë, në procesin tashmë të nisur gjyqësor, Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti e shpërdorim detyre.

IPK-ja kishte montuar kamera në veturat e njësive të trafikut. Aksioni më i madh i hetimit ishte zbatuar me anë të kamerave nga 21 shtatori deri 12 dhjetor 2016

Aktakuzat e ndara të Prokurorisë pretendojnë se këta zyrtarë policorë kanë përfituar direkt para në dorë në këmbim të mosshqiptimit të gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik.

Prokuroria thotë se vetëm brenda një ndërrimi prej tetë orësh në Autostradën “Ibrahim Rugova” kanë përfituar 360 euro ryshfet. Në asnjë rast ryshfeti ditur nuk mbetej nën 100 euro.

Mes pikave të aktakuzës është edhe ajo për Azem Goxhufin. Ai akuzohet se më 8 dhjetor 2016, së bashku me Sasha Nedejlkoviq dhe Safet Veliu kishin marrë 165 euro ryshfet.

Paratë pas përfundimit të orarit të punës ndaheshin në mënyrë të barabartë.

Pretendime serioze se edhe Ekrem Xhekaj është i përfshirë në afera korrupsioni dëshmojnë transkriptet e nxjerra në fillim të hetimit, të cilët nuk janë pjesë e dosjes së Prokurorisë.

Nga ana tjetër, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka mohuar të ketë ndërhyrë në bisedat e nxjerra nga videoincizimet e montuara në veturën e një njësie policore, të cilat dëshmojnë përfshirjen e një zyrtari në aferë korrupsioni.

Inspektorati Policor thotë se të gjitha dëshmitë e plota u ka dërguar Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Prizren.

“IPK me përgjegjësi të plotë deklaron se të gjitha video dhe audio incizimet e plota ku përfshihet edhe incizimi i datës 11.12.2016 (i cili është cituar në kërkesën tuaj) nga ora 23:00 deri në ora 07:00, i janë dorëzuar Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Prizren duke përfshirë edhe dëshmitë tjera lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit.

Kështu, ata kanë drejtuar përgjegjësinë tek prokuroria the gjykata në Prizren. “Për informacione shtesë ju lutem i referoheni edhe prokurorisë kompetente por edhe Gjykatës Themelore në Prizren.”

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën online ‘Insajderi’…

Temat
LajmeVend

Të afërta