“Meta do jetë një president ndryshe nga historia e këtyre 27 viteve”

Të hënën Ilir Meta betohet si President i Shqipërisë. Një formalitet kushtetues, pasi është votuar nga 87 deputetë. Historia e këtyre 27 viteve ka plot 6 presidentë deri më...

Të hënën Ilir Meta betohet si President i Shqipërisë. Një formalitet kushtetues, pasi është votuar nga 87 deputetë.

Historia e këtyre 27 viteve ka plot 6 presidentë deri më tani; Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Përveç Ramiz Alisë, i cili ishte për disa vite edhe numri një i partisë që qeveriste Shqipërinë, emrat e tjerë nuk kishin ndonjë eksperiencë shtetare të nivelit të lartë, para se të zgjidheshin kryetar shteti.

Ilir Meta i ka, fatmirësisht, eksperiencat shtetare të një njeriu politik ku ka provuar gjithë postet nga deputet, minister, zv/kryeministër, kryetar partie, kryeministër dhe kryetar parlamenti. Së fundi, nga e hëna, edhe Kryetar Shteti. Edhe sikur njeriu ti kërkojë apo të lutet, nuk ia arrin dot të ketë një karrierë të tillë politike, gjithnjë nëse synon të investohet në politikë. Ilir Metës, fati dhe puna e tij, ia solli të gjitha këto, natyrisht jo falë dikujt, por nga puna e tij. Dhe nuk ka kaluar lehtë në këto vite. Nga një student ku të gjithë turreshin për ti ikur Partise se Punes, e cila mbreteroi disa dekada, ai insistoi që ta ndryshonte atë. Natyrisht bashkë me të tjerë. Provoi i pari politikan ne heqjen e imunitetit parlamentar për shkak se u gjend kundër pushtetit të Berishës në vitet e para të pluralizmit dhe në krah të vegjelisë e cila e kishte votuar. Si çdo i ri, pasionant, se mund ta ndryshojë Shqipërinë në pak vite, Ilir Meta u turr në vitet e para në PS për të ndryshuar gjithçka. Por PS-ja ishte një gjigand i fjetur, me një kryetar të burgosur, me shumë rryma dhe ikona që mbanin librin e Karl Maksit akoma në zyra si rrugëzgjidhje, ndërkohë që Meta dhe shumë të tjerë si Pandeli Majko etj, synonin një PS më moderne që të konkuronte PD-në, e cila ishte simboli i rrëzimit të diktaturës komuniste, diktaturë e cila kishte strumbullarë pikërisht Partinë e Punës, nga e cila lindi PS-ja.

Tani, pas kaq viteve, flasim sikur PS-ja ishte një parti e kapitalizimit që në fillimet e saj. Në këtë katrahurë parti, që siç thamë pak më sipër, ishte si një gjigand i fjetur, siç ka shkruar në vitin 1996 analisti i njohur Andi Bushati; forca e komunistëve të rinovuar apo gjasëm të rinovuar nuk pranonte të rinjtë e tipit Meta dhe Majko. Natyrisht të dy me tipare diametralisht të kundërta, por historia kjo është dhe nuk mund të ndryshohet. Pas rrëzimit të Berishës së I-rë në vitin 1997, Ilir Meta ishte prapë deputet. Por PS-ja e trazuar nga rënia në pushtet të madh filloi përplasjet në kupolë. Dhe për të shpëtuar nga kriza, PS-ja gjeti zgjidhjen me një deputet të sajin, të ri dhe pa komplekset e së kaluarës. Ilir Meta zgjidhet kryeministër i së majtës. Me një autoritet vendimmarrës ekzekutiv, të pa ndodhur deri atëhere në PS, Ilir Meta bëri operacione të guximshme në drejtim të vendosjes së rendit publik, filloi shtrim të rrugëve dhe urdhëroi ndalimin e ish-presidentit Berisha nga policia dhe shoqërimin e tij në polici, çka nuk kishte guxuar asnjeri ta bënte. E shumëpërhapura sot ne politike “me qetësi e dashuri”, asokohe te Ilir Meta mbretëronte “qetësia”, pasi “dashuria” përherë në PS ka qenë problematike. Ndaj nga prapaskenat në PS, ku herë pas here gjigandi zgjohej dhe shqelmonte rininë e saj, solli ndarjen përfundimtare. Ilir Meta krijoi LSI-në, një forcë e majtë, bile më e majtë se vetë PS-ja. I prerë në besë si nga PS-ja me Edi Ramën, të cilin e solli në krye të bashkisë së Tiranës në vitin 2000, po ashtu edhe nga PD-ja, Ilir Meta u gjend në një darë të fortë ekzistence politike. Në vitin 2008 dyshja Rama-Berisha bënë gjithka që Meta të zhdukej nga skena e politikës dhe t’i përkiste historisë. Mes njërëzve të fortë që kishin gjithka ndër duar, Ilir Meta, ia doli të mbijetojë si ai njeriu të cilin e kanë hedhur në fund të pusit e që më thonjë e vetbesim ngjitet të dalë në dritën e diellit.

Në jetë edhe fati ka rol të madh. Në vitin 2009 fati ia solli që numrat e tij si deputetë mund të bënin qeverisjen e re të demokratëve në mandatin e dytë berishian. Nëse nuk pranonte ofertën e Berishës së II-të, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe destabilitet në pak muaj. Një krizë, Shqipëria e kishte kaluar në vitin 1997. E dyta krizë nuk do kishte takat vendi ta mbarte mbi supe. Praktik, vendimmarrës pa hezitim e tashmë një politikan i regjur nga të gjitha pabesitë dhe kulisat, Ilir Meta vendosi të thyejë mitin politik. Deri asokohe as që mendohej se një parti e majtë mund të bashkëqeveriste me një parti ekstremalisht të djathtë. Ilir Meta ia doli. Firmosi dhe bashkëqeverisi. Shqipëria përfitoi gjatë mandatit PD-LSI futjen në NATO dhe lëvizjen pa viza të shqiptarëve. Nuk është pak apo jo? Por një bashkëqeverisje është si puna e një bashkëjetese, duhet të tolerosh edhe duke kritikuar, ndonëse politikani nuk është prej hekuri apo robot që të kalkulojë çdo lëvizje apo të ruhet nga çdo mik, të cilin e ka ndihmuar ti shpëtojë edhe jetën, kur ka qenë në rrezik. Pabesitë nga njeriu kanë dalë dhe për njeriun janë!

E provoi edhe pabesinë Ilir Meta.

I duhet një politikani edhe kjo. Është në fund të fundit një eksperiencë, ndonëse sjellë negativitet, por kur flitet për një shtetar, mund të thuhet se i ka bërë mirë. E ka kalitur dhe e bën politikanin, kur në thelb është njeri pozitiv, që të jetë i kujdesshëm. Jo në sensin që të fitojë imunitet për të bërë negavitet në shfrytëzimin e pushtetit, por flasim se një kryetar shteti që i ka kaluar të gjitha përvojat dhe kurthet e jetës politike, do jetë një shef shteti që merret me zgjidhjen e halleve të njërëzve, natyrisht me aq pushtet sa ia lejon Kushtetuta.

Por karriera Meta nuk mbaroi me mbylljen e një marrëveshje me Berishën. Më një rikthim në dashurinë e vjetër në vitin 2013, me PS-në e rilindur dhe tjetërsuar nga Edi Rama, Ilir Meta mori edhe një pushtet të paprovuar parlamentar. U bë kryetar parlamenti. Mes një katër vjeçari që vloi nga thikat “mes vëllërëzve”, mes hipokrizisë së dashurisë rilindase, mes “qetësisë dhe dashurisë”, Ilir Meta e kaloi edhe një provë shtetare. Provoi edhe drejtimin e parlamentarizmit në një parlament ku kishte jo pak kriminelë dhe biznesmenë të lidhur me PS-në.

Ia arriti t’i largojë nga parlamenti, natyrisht edhe me kontributin e PD-së. Por u zemërua “zeusi rilindas”, Edi Rama. Lulzim Basha rezistoi fort, por për dreq, u dorëzua me 18 maj, natën dhe pa drita, pavarësisht se tani e kupton se ia punuan rilindasit e shumëparasë.

Të hënën Ilir Meta hyn në Presidencë, zyrtarisht. Ka kaluar gjithçka shkruam si në një film me metrash të shkurtër.

Nuk do jetë president si emrat që i përkasin historisë si president. I ka provuar të gjitha; dashuritë politike, marrëveshjen, pabesitë, kulisat që i kanë bërë, punën, përkushtimin, njeh shtetin, njihet nderkombetarisht, ka sensin e durimit, dhe mbi të gjitha: njeh shumë mirë Edi Ramën dhe Lulzim Bashën! (Shkruar për albanianews1.al)

Temat
Opinione

Të afërta