Tensioni i ulët i gjakut dhe shkaqet kryesore

Hipotensioni përkufizohet si rënia e tensionit arterial nën 90 me 60 mmHg, i cili shkakton simptoma klinike si marrje mendsh, errësim të pamjes, mungesë përqendrimi, të vjella apo alivanosje.

Rënia e presionit arterial mund të ndodhë te kushdo, megjithatë një rast i veçuar fiziologjik është shtatzënia që mund të shoqërohet me rënie të presionit arterial që shkon drejt normalizimit pas lindjes.

Cilat janë shkaqet kryesore dhe ku duhet të tregojmë kujdes?

Ndër shkaqet patologjike që çojnë në hipotension janë mungesa e vitaminave, anemia, dehidrimi, gjakrrjedhja, infeksionet, reaksionet alergjike dhe sëmundjet kronike kardiake si sulmi kardiak.Një numër i madh medikamentesh shoqërohen me hipotension si p.sh. diuretikët, alfabllokuesit, b-bllokuesit dhe antidepresivët.

Duke u nisur nga shkaktarët dhe faktorët predispozues, hipotensioni mund të ndahet në disa kategori.

Së pari, hipotensioni ortostatik apo pozicional, ky është rasti kur individi paraqet rënie të presionit arterial kur ngrihet nga pozicioni ulur apo shtrirë. Normalisht graviteti në pozicionin drejtqëndrim bën që gjaku të grumbullohet më tepër në ansitë e poshtme, por duke u aktivizuar mekanizma kompensatorë si rritja e frekuencës kardiake apo vazokonstriksioni vazal bëhet e mundur që të sigurohet një perfuzionim normal i trurit me gjak. Personat me hipotension ortostatik, këto mekanizma kompensatorë i kanë të dëmtuar.

Së dyti, hipotensioni postprandial është shfaqja e hipotensionit pas marrjes së ushqimit, është sidomos e shpeshtë te moshat e treta.

Pas ushqimit rritet perfuzioni me gjak në traktin tretës, rritja e frekuencës kardiake dhe vazokonstruksioni arterial janë dy mekanizma kompensatorë që normalizojnë presionin arterial, dështimi i këtyre mekanizmave sjell djersitje të shtuar dhe ndjenjën e të fikëtit. Hipotensioni postprandial është më i shpeshtë te njerëzit me presion të lartë apo me sëmundje nervore si morbus Parkison.

Së treti, hipotensioni nervor ndodh nga qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë, kryesisht tek moshat e reja dhe fëmijët.

Shkak mendohet të jetë një komunikim i keq midis zemrës dhe trurit që sjell një rënie të presionit të gjakut mbas qëndrimit gjatë në këmbë.

Së katërti, dëmtimet e sistemit nervor, nga dëmtimi i sistemit nervor autonom. Ky është një çrregullim i rrallë por progresiv i njohur si Shy-Drager sindromë. Kjo sindromë karakterizohet me hipotension në drejtqëndrim dhe hipertension kur trupi përkulet përpara.

Temat
Shëndet

Të afërta