Rapsodi 107-vjeçar në spital, kërkohet të dhurohet gjak

Rapsodi ynë i vetëm, 107 vjeçari legjendar Gjok Nonaj, po lufton betejën e tij të fundit me bajlozin e zi, prej 5 ditësh në një spital privat në në Tiranë. Muzikologu Vaso Tole bën thirrje për ndihmë.

“Kemi detyrim të mbeshtesim atë dhe familjen në këto ditë me gjithçka mundemi, moralisht e sidomos financiarisht, por sot Gjoka shekullor ka nevojë për dhurues vullnetarë gjaku. Kush ka mundësi, për çfarë do lloj ndihme, të kontaktojë me nipin e Tij Gjovalinin. Cel: 0666161479”, shkruan Tole. Ndërkaq, të pyetur nga “GSH” familjarët thonë se mund të dhurohet gjak nga çdo grup gjaku.

Gjok Nonaj është lahutari më i vjetër i gjallë, 107 vjeç. Ai ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës ndër vite. Ka qenë vetëm 10 vjeç kur mësoi lahutën dhe është shprehur se “kurrë nuk do ndahet prej saj”. Lahutari i moçëm Gjok Nonaj e ka përcjellë këtë traditë edhe tek e mbesa Lumturije Nonaj, e cila është lahutarja e vetme femër në Shqipëri, por edhe te nipërit e tij Gjovalin dhe Gjet Nonaj. Dalja e tij në “qytetin e festivaleve” u konsiderua një surprizë e rrallë për publikun, studiuesit dhe dashamirësit e folklorit.

Gjok Nonaj është banor i Komunës së Shëngjinit, por prejardhja e hershme e familjes së tij është nga fshatrat e Malësisë së Madhe, që mendohet se është vend i origjinës dhe interpretimit të këngëve mitologjike të Eposit të Kreshnikëve. Interpretimi i tij i fundit në Festivalin e Gjirokastrës nga goja dhe gishtat të këtij të moshuar të vargjeve mitologjike të eposit të lashtë shqiptar, erdhi si një dëshmi e gjallë e transmetimit gojë më gojë dhe përcjelljes nga një brez te tjetri të këtij eposi të lashtë.

Temat
EmisionetPërrallë me Tupan

Të afërta