Qeveria shqiptare bën lëvizjen e papritur, 1343 vende për studentët në administratë

Tregu i punës në Shqipëri është cilësuar përherë si i vështirë për ata që sapo dalin nga bankat e shkollës.

Në shumicën e rasteve ajo që kërkohet është eksperienca që të sapodiplomuarve u mungon.

Institucionet e qeverisjes qendrore, ato vendore dhe disa kompani publike e private në vend kanë vendosur që të ofrojnë mundësinë e praktikave të punës dhe numri i vendeve të njoftuara bëhet përmes platformës së ngritur për këtë aspekt.

Të enjten Ministria e Financave dhe një seri institucionesh të tjera publikuan njoftimin për pjesëmarrjen në këto praktika dhe sipas platformës në total numri i vendeve të ofruara është 1343.

Aplikimi mund të bëhet online përmes faqes së vënë në dispozicion për praktikat dhe profilet ku mund të aplikohet janë gjithëpërfshirëse. Vetëm Kryeministria ka lënë si opsion 20 vende për praktikantët që mund të kenë profil studimor si juridik, ekonomik, inxhinieri, shkenca politike.

Institucione të tjera në varësi direkte të Kryeministrisë kanë hapur gjithashtu mundësi për praktikë ku mes të tjerash INSTAT që kërkon 19 praktikantë, ASIG 2 dhe drejtoritë rajonale të arkivës me një total prej 26 studentësh.

Totali i institucioneve që ofrojnë mundësinë e praktikës sipas të dhënave të gjeneruara nga platforma është 19 për ato qendrore, 93 institucione varësie, 19 njësi të qeverisjes vendore dhe 10 shoqëri tregtare. Vetëm OSHEE kërkon 29 praktikante me profil ekonomik.

Sipas shënimit, të drejtën për të aplikuar në programin kombëtar të praktikave të punës e kanë të gjithë ata që kanë përfunduar studime të ciklit të parë (bachelor) dhe janë duke studiuar apo kanë përfunduar studime të ciklit të dytë në një nga profilet studimore të lart përmendura në përshkrimin e bërë nga secili institucion.

Programi parashikohet që të zgjasë tre muaj. Platforma është ende në rifreskim të dhënave dhe në ditët në vijim pritet që numri i vendeve të lira për praktikë të rritet ndërkohe që listës mund t’i shtohen institucione të reja./Monitor/

Temat
LajmeRajon

Të afërta