Kur politizohen edhe monumentet fetare

Kundërshtimin e ndërtimit të xhamisë në Prishtinë do ta kisha quajtur edhe një refleksion i shoqërisë pa religjion ose politizim i religjionit dhe i monumnteve të kultit!

I. Jemi dëshmitar se procesi i lartë i sekularizimit në shoqërinë moderne shqiptare në radhë të parë është produkt i diversistetit fetar i shtresuar në shekuj, si dhe pasojë e represionit të regjimit komunist i shoqëruar edhe me forma të ndryshme të izolimin.

Së këtejmi, studiuesit e religjionit komparativ shpesh janë interesuar për universalitetin e religjionit dhe në këtë kontekst kanë shtruar pyetje se, athua njeriu në një farë mënyre është qenie e natyrshme fetare, ose athua ka ekzistuar ndonjëherë një shoqëri pa fe?

Shkenca nuk ka arritur ende të ofron përgjigje të qarta për këto pyetje. Një gjë është e sigurtë se feja mund të përcaktohet me pjesëmarrje në bashkësi fetare, ose me forma të veçanta, siç janë lutjet fetare në monumente të kultit (kisha, xhamia, teqe), etj.

Megjithatë, feja ndonjëherë ka edhe kuptim më të gjëra, si diçka që ka të bëjë me një dimension më të thellë të ekzistencës njerëzore, si kujdes maksimal, si kërkim për kuptimin e vlerave, së një dëshirë e madhe për rrënjët dhe drejtimin e jetës sonë, çështje kjo universale, që mund të shtrohet jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por edhe në atë britanike, gjermane, kroate, etj.

II. Edhe pse religjioni ishte dhe mbeti vetëm një formë e aktivitetit shoqëror e shpirtëror të njeriut, shpesh herë gjatë historisë në Ballkan e veçmas në Kosovë ai doli nga kornizat e ngushta fetare duke marrë pjesë në proceset shoqërore dhe politike, dhe duke u jep një dejtim të caktuar këtyre proceseve, shpesh herë të gabuar dhe në dëm të vetë doktrinave që i predikon.

Kur është fjala për rastin e Kosovës edhe pse aty historikisht kanë vepruar bashkësi të ndryshme religjioze të ndara në forma dhe veprime të ndryshme doktrinare ato janë parë të ndara në dy grupe të mëdha si bashkësi religjioze të krishtera dhe islame. Shpesh herë gjatë pushtimeve të huaja në Kosovë është bër perpjekje që religjioni të perdoret si mjet ideologjik shumë i fuqishëm për mobilizim në baza jo vetëm religjioze por edhe në baza politike e etnike. Ky mobilizim është tentuar që të orjentohet në drejtime të caktuara pozitive apo negative, mvarësisht nga pozicioni politik i bartëseve të këtyre proceseve.

III. Optimizmi për të ardhmën më të mirë është një ndjenjë e fuqishme e gjithë shoqërisë kosovare mbeshtetur po ashtu edhe nga ndjenja fetare. Disa anketa të bera pas lufte në Kosovë lidhur me të ardhmën e këtij vendi rezulton se, kosovarët janë njera ndër shoqeritë më optimiste në Europë.

Përvoja e jonë duke u mbështetur në analiza të ngjarjeve të zhvilluara në të kaluarën dhe të përspektivave për të ardhmën dëshmon fuqimisht se Republika e Kosovës në kuadër të integrimeve politike ekonomike e shoqërore europiane ka shansin e vetë që një herë e pergjithmonë të jetë pjesë e Europës jo vetëm gjeografikisht siç ishte deri me tani, por edhe politikisht, duke e begatuar mozaikun kulturor të Europës me gjithë specifikat e veta mes tjerash edhe me begati religjioze.

Në këtë kontekst Kosova si vend multireligjioz do të kishte qenë një model i mirë i integrimeve, një urëlidhëse ndërmjet Perëndimit dhe Lindjës, për çka mund të merrën edhe shumë shembuj nga historia e Kosovës në shekuj.

Ilustrim: Xhamia e Rijekës në Kroaci, njëra ndër më të bukurat në Europë. Ky monument i kultit në Kroaci është një shembull i shkëlqyeshëm për vende të tjera europiane se si duhet zgjidhur çështjen myslimane, por edhe mesazh për shtetetet myslimane se si duhet zgjidhet çështja e komuniteteve të krishtera pakicë.

Temat
Opinione

Të afërta