Nainggolan dridh tifozët e Romës me mesazhet në Instagram

Radja Nainggolan i ka brengosur tifozët e Romës me dy mesazhe në rrjetet sociale rreth të ardhmes së tij, duke u përgjigjur “nuk e di”.
Mesfushori i Romës, Radja Nainggolan, ka kohë që lidhet me një transferim të mundshëm në Premierligë te Chelsea ose Manchester Unitedi, derisa edhe Interi është duke insistuar që ta bashkojë lojtarin me Luciano Spallettin.

Këtë javë, belgu iu përgjigj një tifozi në Instagram kur u pyet nëse do të nënshkruajë kontratën e re me Romën. “Jam duke pritur, si gjithmonë…”, ishte përgjigjja e belgut.

Sot Antonio Rudiger kompletoi transferimin te Chelsea dhe Kevin Strootman e përshëndeti shokun e tij në rrjetet sociale duke shkruar në fund “Ps shpresoj se ky do të jetë largimi i fundit në këtë verë”.

Nainggolan u përgjigj në atë postim me dy fjalë që do t’i brengosë tifozët e Romës: “Nuk e di”.

Roma tashmë ka shitur Mohamed Salah dhe Leandro Paredes, derisa Mario Rui do t’i bashkohet Napolit nesër, Wojciech Szczesny është rikthyer te Arsenali kurse Francesco Tottit i ka skaduar kontrata.

Temat
BotëSport

Të afërta