Mes kujt ndahet çmimi i madh i Big Brother, sonte finalja

Sonte vendoset edhe emri i fituesit të “Big Brother 9”. Me një format të ndryshuar dhe lojë risi, këtë vit “Big Brother” ishte më çifte.

Ndaj, mbrëmjen e sotme një çift do të rrëmbejë çmimin prej 100 milionë lekësh. Me aq sa kemi mundur të mësojmë, “lufta e egër” për çmimin e madh është mes çiftit Danjel-Fotini dhe Olsi-Fiorentina.

Danjeli dhe Fotinia u shndërruan ndër çiftet më të pëlqyera kur vendosën të martohen brenda shtëpisë, pavarësisht kundërshtimit të familjarëve. Veçmas martesës, dyshja ka ditur sesi të ruajnë balancat në lojë, duke u shndërruar në një nga çiftet lider. Megjithatë, do të jenë votat e publikut që do të vendosin se kush do të triumfojë mbrëmjen e nesërme.

Nga ana tjetër, edhe Olsi dhe Fiorentina janë ndër çiftet që e kanë rrëmbyer votën e publikut që në ditët e para. Sapo u bë pjesë e formatit, Olsi spikati për natyrën e tij të çlirët. Që në ditët e para Olsi u vu në qendër të sulmeve nga banorët e tjerë, ndaj së bashku me Fiorentinën kanë qenë thuajse çdo javë në nominim, por kanë ditur sesi të jetojnë historinë e tyre, duke merituar qëndrimin në shtëpi.


Ndryshe nga dyshet e tjera, çifti nga Tirana janë konfliktuar shpesh edhe me njëri-tjetrin në shtëpi, duke thyer edhe rregullat e “Big Brother”.

Por duket se vërtetësia e këtij çifti shihet edhe kur zihen, pa u shqetësuar për lojën, apo për telekamerat që i shoqërojnë. Kur u bënë pjesë e lojës, të dy deklaruan se janë një çift që i pëlqejnë çmenduritë. Olsi me natyrën që ka përfaqëson më së miri të rinjtë shqiptarë. Ndaj, duket se çmenduria e fundit e këtij çifti është të fitojë 100 milionë lekë në “Big Brother”.

Temat
Showbiz

Të afërta