Vrasja e tropojanit në Vlorë, flet kunati i tij: Ja e vërteta

Ekzekutimi i Fatjon Sinanit, tri ditë më parë në banesën e tij në Vlorë, mund të ketë ardhur për shkak të përfshirjes së tij në kultivimin e kanabisit.

Ishte një nga pistat e mundshme që dyshohej se u bë shkak për vrasjen e 40-vjeçarit nga Tropoja. Fillimisht u dyshua se Sinani kishte punuar si roje për një parcelë me kanabis gjatë vitit të kaluar, e cila u asgjësua nga policia.

Dyshimet se mund të kishte vënë në dijeni policinë, mund të ketë çuar në hakmarrjen e kultivuesve të drogës. Por kunati i tij, po edhe vetë policia kanë hedhur poshtë një pistë të tillë.

“Nuk e dimë se kush e vrau”,- shprehet kunati i tij -“por Fatjoni nuk është marrë ndonjëherë me veprimtari të tilla. Nëse do të ishte kështu, nuk do të ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe të kërkonte për çdo ditë punë në sheshin “Omonia”. Madje edhe qiranë e shtëpisë e paguanin të afërm të tij, pasi Fatjoi dhe e shoqja nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për ta përballuar”, thotë ai për “Panorama”.

Kjo pistë është hedhur poshtë edhe nga burimet zyrtare të Policisë, ndërsa drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës kanë konfirmuar se pista në të cilën po hetohet mbetet vetëm ajo e së kaluarës së tij në Tropojë, ku po kërkohet të gjenden informacione apo detaje që mund të çojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, e cila për momentin mbetet ende mister.

Ndërkohë pritet tashmë të merret edhe dëshmia e gruas së Fatjon Sinanit, e cila prej momentit të krimit ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike.

Temat
LajmeRajon

Të afërta