U mashtruan nga ndërtuesi, 7 familje ‘ngujohen’ në prokurori

“Na mori truallin e tokës dhe nuk na dha apartamentet dhe dyqanet që na takonin. Të futet në burg ndërtuesi”.

Kështu u shprehen për mikrofonin e Report Tv banorët e Unazës së Re nga oborri i Prokurorisë së Tiranës në godinën e së cilës denoncuan ndërtuesin Dritan Llanaj.

Banorët e shtatë familjeve denoncuan tek prokurorja Suela Salavaci ndërtuesin dhe organi i akuzës e thirri për ta marrë në pyetje Llanaj.

Në dalje të godinës, Llanaj tha se nuk ka asnjë deklarim për të bërë mbi çështjen, ndërsa banorët thonë të kundërtën.

Banoret: E duam ne burg ndertuesin

Report Tv ndoqi shqetësimin e banorëve që po protestonin në oborrin e prokurorisë së Tiranës. Ata janë ngujuar në këtë pjesë të oborrit dhe thonë se nuk do të largohen deri në gjetjen e së drejtës së tyre.

“Nënshkruam kontratat dhe kanë bërë një kontratë sipërmarrje me ndërtuesin Dritan Llanaj, për të ndërtuar një pallat në tokën e tyre. E kemi kallzuar penalisht për dhunë fizike e psikologjike. Ai na ka marrë djersën, pronën e prindërve, ne e besuam dhe nënshkruam dhe kontratën në prani të noteres, por dhe atë e kemi dërguar për ndjekje penale, pasi dhe ajo doli nga fjala. Ndaj si qytetarë të rregullt e të ndershëm, që paguajnë taksa dhe i përgjigjen shtetit deri më 1, ne duam të drejtën tonë. Nuk duam që një individ si Dritan Llanaj të jetë i qetë, të ndërtojë mbi kokën tonë duke zaptuar cfarë janë tonat dhe të rrahë dhe policinë. Sepse dhe këtë e ka bërë ai”, shprehen banorët.

Banorët thonë se me kërkesën sot në prokurori presin që e drejta të jetë në anën e tyre, por prokurorja u ka kërkuar kohë për t’u njohur me çështjen.
“Kemi bërë kallzim penal për dhunë, shpërdorim detyre thanë banorët. E kemi çuar në Polici, në Gjykatë. Duam të vendoset para ligjit Dritan Llanaj. Si mundet një njeri që shkel ligjin me të dykja këmbët dhe ligji nuk vepron për të? Ai vijon ende të jetë ndërtues? Prokurorja na dëgjoi dhe tha që kërkon kohë, të paktën 1 javë të njihet me cështjen”.

Protesta e banoreve ne muajin Shkurt
Banorët e Unazës së Re kanë 1 vit e gjysëm që presin të zgjidhet cështja. Ata kanë protestuar dhe më parë dhe cështja është bërë mediatike, pasi njëra nga banoret ka kërcënuar se do të vetëhidhej nga tarraca e pallatit të ri.

Ngjarja u regjistrua me 1 Shkurt ku Enkelejda Ahmetaj, nënë e dy fëmijëve është ngjitur në tarracën e pallatit ne ndertim dhe ka qëndruar për rreth 2 orë aty, duke kërcënuar se do të hidhej. Por pavaresisht ngjarjes se qe beri buje disa muaj me pare, ceshtja e ketyre banoreve ka mbetur ne vend numero.

Temat
LajmeRajon

Të afërta