Carrick përgjigjet pas thashethemeve që e lidhin Ronaldon me Man United (Foto)

Michael Carrick thotë se nuk është punë e tij të flasë për të ardhmen e Cristiano Ronaldos.

Michael Carrick ka insistuar se ai nuk është duke menduar që të ribashkohet me Cristiano Ronaldon, pas spekulimeve se portugezi dëshiron të rikthehet në Manchester United.

Ronaldo, golashënuesi më i mirë në histori të Real Madridit, ka nënshkruar kontratë pesë vjeçare në nëntor të vitit të kaluar, por raportohet se mund të largohet nga Spanja pas akuzave për evazion fiskal prej 14.7 milionë eurove.

“Të jem i sinqertë me ju, nuk iu kam kushtuar shumë rëndësi”, tha Carrick fillimisht për Sky Sports, kur u pyet për spekulimet që e lidhin Ronaldon me klubin nga “Old Trafford”.

“Dëgjoni, ju nuk keni nevojë të më tregoni se çfarë tipi i lojtarit është ai dhe se sa i mirë është dhe çfarë karriere ka pasur”, u përgjigj më tej Carrick.

“Por, ajo çfarë dua të them është se nuk më takon mua të involvohem në këtë nëse do të vijë në Manchester United, apo do të largohet nga Real Madridi. Kjo nuk është puna ime tani për tani”, shtoi ai.

“Natyrisht, kam qenë me fat që kam luajtur me te. Ishte kënaqësi të punoja me ta dhe ta shoh nga afër se si luan”, u shpreh më tej për Sky Sports. “Do të shohim se si përfundon pas disa javësh apo edhe muajsh”, përfundoi Carrick. /Gazeta Express/

Temat
BotëSport

Të afërta