Dinamit lokalit në Vlorë, zbardhet dëshmia e pronarit

Dinamit lokalit të sapohapur në qytetin e Vlorës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të së premtes në lagjen “Lirim”, në katin e parë të një pallati i cili ishte kthyer në ambient lokali, shkruan “Panorama”.

Godina ishte në pronësi të shtetasit R.M., 56 vjeç, ndërsa policia është rreth kësaj ngjarjeje duke hetuar në disa pista. Sipas të dhënave, lokali ishte marrë me qira nga shtetasi Shpëtim Zeka, i cili e kishte në përdorim ambientin prej disa ditësh, pasi kishte filluar punë më datë 1 qershor.

Në afërsi të dritares së lokalit ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese dinamit, ndërsa në vendngjarje pas shpërthimit është gjetur edhe një mbetje fitili. Fatmirësisht, sasia e lëndës nuk ka qenë e madhe, duke shkaktuar vetëm dëmtimin e dritares.

Pronari që kishte në përdorim këtë ambient si lokal, Shpëtim Zeka, u shpreh se nuk kishte dijeni në lidhje me motivet e ngjarjes, pasi ai përjashtoi mundësinë që të ketë pasur konflikte me persona të tjerë.

“Ka qenë ora rreth 03:30 kur jam lajmëruar se në lokalin që kam marrë me qira, ka ndodhur një shpërthim. Kam ardhur menjëherë në vend dhe këtu ishte policia, e cila po shihte dëmet e shkaktuara”, u shpreh 57-vjeçari Zeka.

Sipas Zekës, ai e ka në përdorim që prej 1 qershorit, ndërsa më përpara nuk ka dijeni se për çfarë ka shërbyer.

Policia nuk përjashton dyshimin se shkak mund të jetë konkurrenca, pasi në zonë ndodhen edhe të tjera ambiente që funksionojnë si njësi shërbimi lokale.

Të tjera pista lidhen edhe me problematika që mund të ketë pasur më parë në këtë lokal, para marrjes me qira nga pronari i tanishëm.

Temat
LajmeRajon

Të afërta