Gjykata serbe rehabiliton komandantin çetnik

Një gjykatë serbe në Valevë ka rehabilituar ish-komandantin çetnik Nikola Kalabiq, i cili u deklarua kriminel lufte nga autoritetet komuniste jugosllave dhe vdiq në rrethana misterioze menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata e Lartë në Valevë, Serbi, rehabilitoi ish-komandantin çetnik Nikola Kalabiq, duke anuluar vendimin e periudhës komuniste nga viti 1946 që e deklaroi atë një “armik kombëtar”.

Zyra e Prokurorit të Lartë në Valevë tha për agjencinë e lajmeve BETA se sigurisht “do të apelojë” kundër vendimit.

Kërkesa për rehabilitimin e Kalabiqit u paraqit nga stërmbesa e tij, Vesna Kalabiq, në vitin 2012.

Ajo tha se nuk ishte një kriminel lufte dhe se kishte qenë viktimë e rrethanave të ndryshuara ideologjike të Jugosllavisë.

Ai “kishte vdekur për shkak të arsyeve politike, kombëtare dhe kryesisht ideologjike”, tha Kalabiq.

Të ashtuquajturit çetnikë përfaqësonin interesin mbretëror të Serbisë në Luftën e Dytë Botërore, e cila humbi para partizanëve komunistë të udhëhequr nga Josip Broz Tito, i cili erdhi në pushtet në Jugosllavi në vitet 1944/1945.

Mediat serbe njoftuan se mbesa e Kalabiqit i dha gjykatës dëshminë nga një prift i dalë në pension, Mijailo Daniloviq, bga qyteti Gornji Milanovac, i cili pretendoi se shërbimi i ri i fshehtë komunist, OZNA, e vrau Kalabiqin më 19 janar 1946, në një shpellë në një kanion përgjatë lumit Gradac, pranë Valevës.

Gjatë procesit gjyqësor që zgjati pesë vjet në Valevë, Zyra e Prokurorit të Lartë kundërshtoi rehabilitimin e tij duke cituar dispozitat ligjore sipas të cilave njerëzit që u shpallën kriminelë lufte nga Komisioni Shtetëror për Hetimin e Krimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mund të shpalleshin të pafajshëm.

Kalabiq ishte komandanti i njësisë çetnike të quajtur Korpusi i Gardës Malore.

Disa burime historike pohojnë se ai ishte një nga udhëheqësit çetnik që më 26 nëntor 1943 përfunduan një marrëveshje formale bashkëpunimi me përfaqësuesin e Komandantit Ushtarak Gjerman në Evropën Juglindore, nënkolonelin Hans Felber.

Një vendim gjykate në qytetin Mionica në shtator 1946 e deklaroi Kalabiqin një “armik kombëtar” dhe prona e tij u konfiskua.

Pasi eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë, dhe as vendi ku ai është varrosur, ai qe zyrtarisht një person i zhdukur për 65 vjet me radhë. Në vitin 2011, Kalabiq u shpall i vdekur nga Gjykata e Shkallës së Parë në Valevë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta