Burim Ramadani ia publikon videon Albin Kurtit kur thoshte se Amerikën nuk e donë shqiptarët (VIDEO)

Ish-gazetari dhe ish-deputeti Burim Ramadani, i cili po merret me analiza për siguri, ia ka publikuar një video ku Albin Kurti mban ligjërata se si shqiptarët nuk e duan Amerikën por më shumë frikësohen se po i braktisë ajo. Kështu, Ramadani ka thënë se ide të tilla kanë për qëllim të paraqesin Amerikën si diçka të keqe.

“Prej përvojës tu fol qeshtu me njerëz, nuk menoj që shqiptartë i dojnë amerikantë. As Amerikën. Unë menoj që shqiptartë ma shumë e kanë njifar ankthi të mundësisë së braktisjes nga Amerika se që e dojnë Amerikën”. Këto janë saktësisht fjalët e Albin Kurtit, më 26 shkurt 2016, në qendër të Prishtinës, derisa po tentonte t’i bindte disa qytetarë protestues me idenë e vet krejtësisht të paqëndrueshme, por me qëllim të përhapjes së konfuzionit qytetar.

Dhe, pikërisht ky narracion dhe kurs veprimi m’u kujtua derisa po lexoja qëndrimet që Kongresmeni amerikan, Matt Gaetz, ka dhënë së fundmi në raport me Kosovës. Kongresmeni Gaetz ka folur për fuqinë rajonale të burimeve natyrore të Kosovës, përkatësisht fuqinë energjetike, dhe agjendën pro-perëndimore që Kosova duhet ta ketë në qeverisjen e ardhshme, edhe për shkak të përhapjes së ndikimit rus. Të dyja këto janë të mundshme dhe të qëndrueshme vetëm si të ndërlidhura me mosluhatjen e Kosovës në raportet me SHBA-në.

Luhatja as si mesazh dhe as si përmbajtje, as si narracion dhe as si kurs veprimi, nuk duhet të ndodhë. Nuk guxon të ndodhë.

Do të ishte strategjikisht e gabueshme, përmbajtjesisht negative, historikisht e dënueshme rritja e cilësdo ideologji që bazohet dhe promovon narracionin anti-amerikan tek qytetarët e Kosovës. Ideologji të tilla përhapen në vendet që kalojnë nëpër kriza të ndryshme, por shtetet dhe shoqëritë arrijnë t’i izolojnë ato fillimisht dhe t’i dekodojnë ato deri në thelb.

Fatkeqësisht, edhe në Kosovë përballemi me tendenca për përhapje të ideologjive të tilla, të cilat kanë për synim rritjen e konfuzionit dhe mosbesimit në fazën e parë dhe luhatjen e orientimit në fazën e pastajshme.

Një narracion i tillë po promovohet për vite të tëra nga Lëvizja Vetëvendosje! dhe, tashmë kandidati i saj për Kryeministër, Albin Kurti.

Promovimi i idesë se “ekzistojnë dy Amerika”, se “njëra është e mirë e tjetra është e keqe”, se “ne mund të zgjedhim midis dy Amerikave”, se “ne nuk e duam Amerikën, por frikësohemi mos po mbesim vetëm” është promovim i ndërtimit të një situate paqëndrueshmërie, konfuzioni, mosbesimi e deri te një situatë luhatjeje të orientimit popullor e institucional, luhatje kjo e pakuptueshme dhe totalisht e gabueshme.

Të tilla formulime, domosdoshmërisht jo të izoluara, synojnë vendosjen e një konfuzioni qytetar dhe përhapjen e të menduarit se “Amerika e keqe” nuk është e drejtë me ne. Se këtu na qenka i tërë faji dhe “Amerika e keqe” është fajtori. Se ne do ta duam “Amerikën e mirë” e duke bërë këtë ne mund të ndërtojmë lloj-lloj teori konspiracionesh rreth qëllimit të vërtetë të përfshirjes së “Amerikës së keqe” në Ballkan e në Kosovë.

Për më shumë, Kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, e pati shpjeguar po me këto teori konspiracioni më shumë se një dekadë më herët edhe intervenimin e NATO-s ndaj Millosheviqit si intervenim për qëllime imperialiste dhe jo humanitare.

Prandaj, edhe nuk ishte i papritur sulmi ndaj ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson, në vitin 2013.

Temat
LajmeVend

Të afërta