“Birat e Kishës” apo “Birat e Gjytetit” (FOTO/VIDEO)

Kçiq i Madh/Mitrovicë,1 maj – Kisha që ka ekzistuar në gjytetin e lashtë, nuk është më. Nuk është as vet gjyteti. Tani në fshatin Kçiq të Madh, në afërsi të Mitrovicës, si dëshmi e vetme se aty, shumë kohë më parë, ka ekzistuar një kishë janë “Birat e Kishës”, të cilat herë herë quhen edhe “Birat e Gjytetit”. Fjala gjytet-civitatos, nga latinishtja për fjalën e sotme – qytet.

“Flitet se maca ka shku prej kulmit në kulm, prej “Birave të Kishës” e deri në Vushtrri”, kujton me nostalgji Pajazit Abiti, fjalët që ia kanë thënë të parët. Është fjala për një vendbanim arkeologjik të vjetër, rreth 2000 vjeçar, i cili shtrihet në pjesën jugore të Mitrovicës, përkatësisht fshati Kçiq i Madh. Është i vendosur në mes të dy rekave, rrjedha e të cilave lag gurët që duken sikur janë të vendosur mjeshtërisht nga dora e njeriut. Reka e Rashanit në anën e djathtë, ajo e Mazhiqit në anën e majtë së bashku me një pjesë are të rrafshët, krijojnë kushte për një piknik të mundshëm dhe argëtim.

Fakti se shtëpitë kanë qenë të ndërtuara aq pranë sa që macet do mund të bënin një rrugë prej 10km, pa zbritur prej kulmit, përkatësisht prej “Birave të Kishës” e deri në Vushtrri tregon se në këtë vend, edhe atëherë, popullësia ka qenë shumë e dendur. Kjo duhet të jetë edhe më e besueshme kur tregohet se brenda një nate të vetme janë martuar 70 çifte. “Mrena ni nate kanë ardh 70 nuse dhe kur kanë dal të nesërmen me marrë ujë në qeshmen me disa qepa aty pranë, secila tu e pyet shoqja-shoqen. Kur je ardh ti? Pram. Ti? Pram. Ti? Pram” tregon 74 vjeçari, Pajazit Abiti.

“Urat e frengut” të ndërtuara në hekurudha

Historiani, Tahir Abdyli ka shkruar se të shek. XIX janë edhe kalatë-gjytetet të cilat gjenden në rrafshin e Kosovës, në malin e Qyqavicës, në malet e Shalës së Bajgorës dhe anët e tjera të Kosovës. Përkatësisht vendbanimi “Birat e Kishës” konsiderohet të jetë i vjetër deri në atë masë i kohës së romakëve, italianët e vjetër. Me rrënimin e këtyre kalave, gurët e tyre janë shfrytëzuar për ndërtimin e urave të hekurudhës Mitrovicë-Shkup-Selanik të përfunduar me 1873.

“Fatkeqësisht gurët për ferrotrasë u morën nga qytetet arkeologjike-gjytete dhe kështu një civilizim i ri u bë shkaktar i shkatërrimit të një civilizimi të vjetër” kishte shkruar Abdyli. Nuk ka gurë të tillë më përreth “Birave të Kishës”. Madje, nuk është më as muri që e mban mend Pajazit Abiti.

Janë vetëm ato tre vrima, të cilat, dita-ditës po bëhet më e pamundur për t’i ngjitur. Ndërsa pranë tyre ende është një livadh i madh, në të cilin dy djem me 1 maj po shëtisnin dy qentë e tyre.

“S’dashtëm me festu ditën e punëtorëve, edhe ashtu ska punë” u shpreh njëri nga dy të rinjtë. “Ma mirë me dal me i shetit qentë” shtoi tjetri.

Urat janë ndërtuar nga francezët, prandaj janë quajtur “urat e frengut”. Mbase ky veprim kishte edhe prapavijën e tij. Qeveria osmane dëshironte që gjurmët e hershme të popullit shqiptar të zhdukeshin sa më shumë që ishte e mundur. “Sikur tash që po qesin tendere, edhe atë kohë Turqia ia ka pas dhanë Francës me i punu ato ura” thotë Pajazit Abiti, i cili po qëndronte pranë laptopit duke punuar në librin e tij që ka ndërmend ta botoj së shpejti, “Rrënjët tona”. Në anën e majtë të tij ishte sirtari plot me libra pranë televizorit, ndërsa në anën tjetër rreth 40 ekzemplarë librash të rënditura me kujdes mbi një tavolinë në qoshe. “Janë dekori më i bukur i shtëpisë time” u shpreh baci Pajazit.

Nuk ishte Kisha e vetme e fshatit

Në këtë fshat ka ekzistuar kisha, dëshmi e saj janë tri shpella, emërtimi i të cilave ka mbetur “Birat e Kishës”. Dy prej tyre janë rreth 2 metra të larta dhe 1m e 50cm të gjera. Në thellësi të shpellës së dytë mund të ecësh deri në shtatë metra, për të parë tutje edhe pesë të tjera, por për të mos ditur se çfarë ka më tutje. Ndërsa shpella e parë tani thuajse është mbyllur nga shembja e dheut në afërsi, e treta, ajo më e larta, vështirë apo thuajse e pamundur për t’u ngjitur nga banorët e fshatit. Në përpjekje për t’u ngjitur atje, në vitin 2012 një banor i fshatit ishte rrëzuar. Ka pesuar lëndime të rënda dhe kishte nevojë për trajtim mjeksor për ditë të tëra.

Krahas kësaj kishe, një banor i fshatit tregon se kanë ekzistuar edhe dy të tjera. “Ni kishë ka ekzistu bash 300 metra larg vendit të xhamisë së sotme dhe ni tjetër në anën tjetër të fshatit” tha Musli Musliu. As gjyteti nuk ishte i vetmi në Kosovë. Në librin “Hasan Prishtina” të autorit Muhamet Pirrakut flitet se ka ekzistuar edhe një gjytet në Duboc.

“Përveç gjytetit në komunën e Mitrovicës ishte edhe një gjytet në komunën e Skenderajt, përkatësisht Turiqevc. Edhe atje është vend ku ka qenë kisha, se janë gurët që e dëshmojnë” thotë, duke mos u lodhur nga shpjegimet e shumta që bëri, baci Pajazit.

Sikur sot, edhe atëherë ka pas bashkëjetesë të personave që u takonin besimeve të ndryshme fetare. Ata mund të kishin qenë muslimanë, katolikë, ortodoksë a përkatësi të tjera fetare. Mirëpo, siç shpjegon baci Pajazit, pas përqafimit të fesë islame nga shqiptarët, dëshmitë e hershme siç janë kishat, vështirë se janë ruajtur si monumente historike. “Populli tu e pas armik vazhdimisht Serbinë kanë thanë se kishat janë t’shkaut. A shkau s’ka pas kisha para neve. Ata shumë vonë e kanë pranu fenë krishtere”.

(Autorja është studentet e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP)

Video1 by GazetaExpresscom

Temat
Përgjithshme

Të afërta