Pse presidentët serbë qeverisin si Millosheviqi?

Kur Aleksandar Vuçiq ta marrë përsipër presidencën, ai do të jetë në gjendje të ushtrojë më shumë pushtet sesa ia lejon puna, ashtu si paraardhësit e tij Sllobodan Millosheviq dhe Boris Tadiq.

Kryeministri Aleksandar Vuçiq do të bëhet president në fund të majit dhe ka gjasa të konsolidojë sundimin e tij, siç kanë bërë edhe presidentët e mëparshëm, siç bëri ish-shefi i tij Sllobodan Millosheviq në vitet 1990.
Nuk ka asnjë mekanizëm ligjor apo organ të pavarur në sistemin politik serb që mund ta kontrollojë presidentin nëse ai përpiqet të ushtrojë presion politik ndaj kryeministrit të ardhshëm, anëtarëve të qeverisë apo institucioneve të tjera shtetërore, tha për BIRN eksperti ligjor, Zoran Ivosheviq.

“Formalisht, presidenti serb nuk ka aq shumë pushtet, kryeministri gjithashtu, por qeveria si një organ i përbërë nga disa anëtarë ka shumë më tepër pushtet”, tha Ivosheviq, një profesor universitar i drejtësisë dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Supreme.

“Por unë kam frikë se realiteti në Serbi është shumë ndryshe nga aspekti ligjor dhe se presidenti i ardhshëm do të jetë më i fuqishmi në politikën serbe dhe kryeministri i ri do të bëjë gjithçka që i thotë ai”, shtoi ai.

Vuçiq, i cili gjithashtu drejton partinë në pushtet, Partinë Progresiste Serbe të krahur të djathtë, fitoi zgjedhjet presidenciale të 2 prillit me 55.08 përqind të votave.

Ai do ta bëjë betimin më 31 maj kur skadon afati pesëvjeçar i presidentit aktual, Tomislav Nikoliq, dhe pastaj ka 30 ditë për të propozuar në parlament kryeministrin e ardhshëm.

Ivosheviq nënvizon se sipas kushtetutës, presidenti nuk mund të mbajë dy apo më shumë pozita.

Kjo do të thotë se Vuçiq do të duhet të japë dorëheqje nga pozita e shefit në Byronë e Serbisë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë dhe gjithashtu të largohet nga udhëheqja e Partisë Progresiste.

Por pavarësisht kësaj, ai do të mbetet figura më e fuqishme në parti, këmbënguli Ivosheviq.

“Unë mendoj se ai do ta mbajë fuqinë gjithsesi në partinë e tij, edhe nëse Kushtetuta thotë zyrtarisht se partia nuk mund të marrë pjesë në pushtet. Në thelb, ne kemi një situatë të ndryshme. Progresistët kanë shumicën në parlament kështu që ai mund të ndikojë tek deputetët dhe anëtarët e qeverisë”, sugjeroi ai.

Ai kujtoi se Boris Tadiq nga Partia Demokratike, i cili ishte president nga viti 2004 deri në në vitin 2012, veproi në mënyrë të ngjashme; kryeministri i tij, Mirko Cvetkoviq u pa nga publiku si kukull e tij.

“Në fakt, Vuçiq vendosi të jetë kandidat për president vetëm për të parandaluar që dikush tjetër, nga një parti tjetër, të jetë kryeministër” tha Ivosheviq.

Para Nikoliqit, i cili u bë president në vitin 2012, demokrati Tadiq e udhëhoqi Serbinë për dy mandate.

Tadiq njihet ende si një person që ka pasur pushtet, por në mandatin e tij të parë, nga viti 2004 deri në vitin 2008, kryeministër ishte Vojislav Koshtunica nga Partia Demokratike e Serbisë e krahut të djathtë.

Koshtunica dhe Tadiq nganjëherë u konfliktuan rreth çështjeve kyçe si ekonomia, Kosova dhe hyrja e Serbisë në Bashkimin Europian.

Por në mandatin e dytë të Tadiçit, nga viti 2008 deri në vitin 2012, kryeministër ishte Cvetkoviq, njeri më i besueshëm.

Analisti politik Dushko Radosavleviq tha për BIRN se presidentët serbë pëlqejnë rolin, sepse u lejon atyre të shmangin përgjegjësinë.

“Disa vendime [të kryeministrit] mund të provokojnë një reagim nga njerëzit, ndonjëherë edhe përplasje masive. Nga ana tjetër, pozita e presidentit është pak kërkues, më i lehtë dhe është si një kullë vrojtimi politike nga ku mund të vëresh dhe të krijosh masat e nevojshme për zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë “, tha Radosavleviq, profesor në fakultetin privat të drejtësisë në Novi Sad.

Sllobodan Millosheviq, i cili udhëhoqi Partinë Socialiste, ishte president nga viti 1991 deri në vitin 1997 dhe Radosavleviq theksoi ngjashmëritë midis kohës së tij në detyrë dhe sot.

“Prej periudhës së Millosheviqit deri tani, pozita e presidentit ka qenë vend i rehatshëm për shefin e partisë më të madhe në vend, të cilët në fakt e çuan vendin në kundërshtim me kushtetutën”, tha Radosavleviq.

“Në këtë mënyrë ai vendos zgjidhjet e tij për qeverinë dhe për kryeministrin, por ai është i mbrojtur nga kritikat publike, nga opozita, OJQ-të … Në rast të ndonjë dështimi, kryeministri do të jetë përgjegjës”, shpjegoi ai.

Radosavleviq e sheh këtë si një abuzim me kushtetutën, sepse presidentët në përgjithësi kanë mbajtur pozitat e tyre partiake.

“Kjo ishte diçka që bëri Millosheviqi dhe Tadiqi, kështu që unë mendoj se edhe Vuçiqi do ta mbajë”, tha Radosavleviq.

Nëse presidenti mund të zgjidhet nga parlamenti në vend që të zgjidhet drejtpërdrejt nga votat e qytetarëve, kjo do të siguronte ndarjen e pushtetit midis presidencës dhe kryeministrit, sugjeron ai, sepse në këtë moment tundimi për ta përqendruar pushtetin është tepër i madh.

Ai tha se presidenti që po largohet, Tomislav Nikoliq, bëri një gabim duke u larguar si shef i partisë – “dhe në fund, ai humbi ndikimin e tij mbi [partinë]”. /BIRN/

Temat
LajmeRajon

Të afërta