Vuçiq arsyeton pjesëmarrjen e agjentit të BIA-s në dhunën në Kuvendin e Maqedonisë

Kryeministri serb në ikje Aleksandar Vuçiq mbrëmë pas darkës te Frederica Mogherini në Bruksel e ka arsyetuar prezencën e agjentit të BIA-s në Parlamentin e Maqedonisë më 27 prill, kur u rrahën deputetë të shumicës opozitare dhe gazetarë.
“Punë e tij është që të raportojë nga vendi”, deklaroi Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

Edhe Goran Zhivaljeviq, ish-eprori i kundërzbulimit famëkeq serb, i cili aktualisht është i angazhuar në ambasadën serbe në Shkup, konfirmoi se ka qenë në Parlament, duke pohuar se këtë e ka bërë “me detyrë zyrtare, që të shohë nëse në incidente marrin pjesë edhe persona nga Serbia, tifozë ose ekstremistë”.

Ndërkaq, mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se me Vuçiqin nuk kanë folur për rolin e agjentit serb në ngjarjet e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë më 27 prill.

“Nuk biseduam për atë gjë, ajo është çështje e shërbimeve dhe ato do të vendosin. Jam i lumtur që biseduam për nevojën e qytetarëve tanë që ta avancojmë bashkëpunimin”, deklaroi Zaev pas takimit të pesë kryeministrave të rajonit me eurokomisaren Mogherini.

Temat
LajmeRajon

Të afërta