Britania ngre alarmin e rrezikut nga terrorizmi në nivelin më të lartë

Alarmi i rrezikut nga terrorizmi në Britaninë e Madhe është ngritur në nivelin më të lartë, atë “kritik”, që do të thotë se një sulm tjetër ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt, ka njoftuar kryeministrja britanike, Theresa May.

BBC raporton se May ka bërë të ditur se ngritja e alarmit të rrezikut nga terrorizmi ka ndodhur pasi hetuesit nuk kanë arritur të përjashtojnë mundësinë që i dyshuari për sulmin me bombë në Mançester, Salman Abedi, ka vepruar i vetëm.

Pas ngritjes së alarmit të rrezikut nga terrorizmi, ushtria britanike do të dislokohet për mbrojtjen e zonave të caktuara të vendit, transmeton Gazeta Express.

Njëzet e dy njerëz janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur kur një sulmues vetëvrasës ka sulmuar pjesëmarrësit në një koncert të këngëtares Ariana Grande në ‘Manchester Arena’.

Ushtarët do të shihen edhe në ngjarje të tjera publike, ka thënë May, dhe do të punojnë nën komandën e policëve.

Temat
BotëLajme

Të afërta