SHATK në mbrojtje të “Bordel Ballkan” dhe kundër kërcënimit të OVL të UÇK-së

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) reagon ashpër ndaj kërcënimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila dje, përmes një kumtese për mediat, ka ftuar publikun që të mos marrë pjesë në premierën e shfaqjes teatrore “Bordel Ballkan” (pjesë përbërëse e repertorit të rregullt të Teatrit Kombëtar të Kosovës), ndërkohë që, në emër të “mbrojtjes së Luftës së UÇK-së e të vlerave tona kombëtare nga denigrimi e bastardimi”, ka kërcënuar që ajo do ta pengojë këtë shfaqje, thuhet në reagimin e SHATK .

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se veprimet e këtilla të hapura, përmes kumtesave apo presionit të drejtpërdrejtë ndaj dramaturgut Jeton Neziraj dhe artistëve e krijuesve të tjerë të kësaj shfaqjeje, janë kërcënime të ulëta e primitive jo vetëm ndaj lirisë së shprehjes, të drejtës së fjalës dhe lirisë krijuese, por edhe ndaj jetës dhe integritetit njerëzor të artistëve. Në një vend demokratik, të lirë, sovran e të pavarur, kërcënimet e këtilla rrezikojnë seriozisht vlerat themelore demokratike dhe lirinë e krijimtarisë artistike, thotë reagimi.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës , sipas reagimit, konsideron se misioni i artit dhe i artistëve të teatrit është që, përmes dramave, shfaqjeve teatrore, performancave dhe formave tjera artistike të mbajnë qëndrim kritik ndaj historisë, ndaj realitetit politik dhe përgjithësisht ndaj zhvillimeve të ndryshme shoqërore e politike në Kosovë e më gjerë. Me artin dhe krijimtarinë e tij artistike, dramaturgu dhe skenaristi Jeton Neziraj është një nga zërat e paktë kritikë, si dhe, falë vlerave të kësaj krijimtarie, edhe një nga krijuesit tanë më të mirë brenda dhe jashtë vendit. Me qëndrimin, deklaratat, parimet dhe veprimet e tyre, veteranët e Luftës së UÇK-së, të cilët kanë luftuar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, duhet të jenë mbrojtës e garantues, e jo kërcënues të lirisë së shprehjes e të krijimtarisë artistike.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës fton publikun e kryeqytetit dhe më gjerë që të injorojë me përbuzje kërcënimet e thirrjet primitive linçuese ndaj artistëve dhe artit të tyre dhe që, në mbështetje të lirisë së shprehjes e të lirisë krijuese, ashtu sikundër edhe në shfaqjet e tjera, të marrë pjesë edhe në premierën dhe në reprizat e kësaj shfaqjeje. Jo militantët partiakë e politikë, as komisarët e komandantët e kësaj apo asaj lufte, por publiku, artistët, krijuesit e teatrit dhe kritika profesioniste teatrore janë ata që do t’i përcaktojnë vlerat, rëndësinë dhe hierarkinë artistike të shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës apo në teatrot e tjera.

Në reagimi thotë se Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës fton organet e rendit e të drejtësisë, si dhe institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, që të garantojnë lirinë e shprehjes e të krijimtarisë artistike, si dhe që, përmes mekanizmave ligjorë e institucionalë, t’u kundërvihen të gjitha përpjekjeve dhe veprimeve kërcënuese e shantazhuese, të cilat e cenojnë dhe rrezikojnë seriozisht rendin, lirinë, barazinë, paqen, qetësinë dhe demokracinë e brishtë në vendin tonë. Fjala e lirë, liria e shprehjes dhe e krijimtarisë artistike janë vlera të patejkalueshme themeltare e universale, mbi të cilat duhet të projektohet e sotmja dhe e nesërmja e vendit tonë.

Temat
Art

Të afërta

  • Bujarija dhe Refugjatët: Kosovarët në Mërgim

    Bujaria dhe Refugjatët: Kosovarët në Ekzil (Brill, Maj 2018) është një vepër historie që studion kontekstet politike dhe sociale që refugjatët Kosovarë i ndeshën kur lëshuan atdheun e tyre...
  • Ilir Shaqiri promovon librin “Adem Jashari”

    Shumë këngë ia kushtoi Adem Jasharit. E për komandantin legjendar, Ilir Shaqiri shkroi edhe libër. Të hënën në akademinë letrare të organizuar nga lidhja e shkrimtarëve ky promovoi poemën...
  • Vdes këngëtari Nijazi Bytyqi

    Muzikës shqiptare iu largua nga kjo botë një këngëtar i njohur. Bëhet fjalë për këngëtarin Nijazi Bytyqi, i cili ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare, shkruan lajmi. Bytyqi ishte...
  • Shuhet aktori i njohur shqiptar!

    Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Lisenko Malaj. Vitet e fundit ai ka jetuar në Itali....