Këngëtari shqiptar në një rrëfim për jetën: “Pas 16-vjetësh burg, Zoti u tregua shumë bujar me mua…”

“Se kënduam Let It Be”, kënga e jetës është një kolonë zanore e jetës së burgut për këngëtarin e njohur Sherif Merdani, i cili vetëm pas pak ditësh feston 77-vjetorin e lindjes: “Jam i lumtur, jam shumë i lumtur…” – tregon ai dhe ia kupton lehtë emocionin.
Jeta e vërtetë i ka nisur shumë vonë, ashtu si shumë vonë i nisi rinia, dashuria, martesa dhe prindërimi. Por nuk ka asnjë pendesë sot… as brengë. Zoti është treguar bujar dhe fisnik pas errësirës, thotë ai.

I ftuar këtë pasdite në “Rudina”, Sherif Merdani ka rrëfyer jetën e vështirë të burgut pas Festivalit të 11-të – dënimi i shumë këngëtarëve e kompozitorëve që dëshironin të këndonin “Let It Be.”

Pas vitit ’89, kur nisi jeta e vërtetë e këngëtarit, filluan të ndodhnin një nga një edhe mrekullitë. Sot, prej më shumë se dy dekadash, ai është i martuar me Rozalbën, njeriun e zgjedhur të jetës, e cila ka qenë mbështetja e madhe e artistit, sidomos pas jetës së vështirë të burgut. Por është bekuar edhe me një djalë, Gerardin, për të cilin ndihet po ashtu shumë krenar.

“Ka një fuqi të Zotit, të cilën e kam besuar gjithmonë. Ndihem i privilegjuar, jam i lumtur që jam sot këtu…” – tregon ai në studion e Rudinës.

Ҫastet, momentet më të bukura dhe historitë e pafundme të jetës, Merdani i kujton me zë të dridhur, por, edhe pse jeton prej 5-vjetësh si pensionist, nuk ka ndër mend që ta lërë këngën. Me të birin, ka nisur edhe një tur në të gjitha qytetet e Shqipërisë për të risjellë për publikun këngët e tij më të mira, por edhe për të qenë më pranë adhuruesve të tij.

Marrëdhënia me Rozalbën dhe njohja me të është po ashtu një histori interesante, e cila lindi me iniciativën e saj. Kujton fillimin e viteve ’90, kur sapo kishte dalë nga burgu: “Pas burgut, më ftojnë në Shkodër për një koncert me estradën, i cili zgjati një javë. Rozalba kishte kurajën dhe më doli para teatrit. E pyeta nëse ishte gjimnaziste, sepse mendova se donte ndonjë autograf. Por ajo m’u kthye: “Jo, unë jam 27 vjeҫ, jamë mësuese matematike… M’u duk shumë e imët për të qenë në atë moshë, por që në fillim ishte joshëse… Kështu nisi, që nga ai moment nuk u ndamë më…”

Edhe pse kanë një diferencë prej 21-vjetësh, Sherifi tregon se jeta me të ka qenë dhe vazhdon të jetë një harmoni e plotë. Jo më kot, gjithҫka ka besuar e ëndërruar, sot është duke e jetuar. Dhe pavarësisht 77-vjetorit që feston pas pak ditësh, beson se do të jetojë të paktën edhe 20 vite të tjera… për rininë e humbur në burg, për jetën që nuk e lanë ta jetonte, por edhe për të gëzuar më shumë vite me familjen dhe, në një ardhme të afërt, pse jo, edhe me nipër e mbesa./Class/

Temat
Showbiz

Të afërta