Shala: S’ka mur në veri, punimet po bëhen sipas marrëveshjes

Dyshimet se në pjesën veriore është duke u ndërtuar një mur i ri pas rrëzimit të atij paraprak, janë hedhur poshtë nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.
Ai shprehet i bindur se një veprim i tillë nuk do të ndodhë dhe as nuk ka tendenca për një mur tjetër.

Gjithçka që po ndodh në veri të Mitrovicës, sipas ministrit Shala, është në kuadër të projektit që është nënshkruar.

Shala tha të enjten për Express se çdo zhvillim aty është në përcjellje të inspektorëve të Ministrisë dhe nuk ka shmangie nga ajo që është nënshkruar.

“Jo nuk është duke ndodhur një gjë e tillë. Gjithçka është duke shkuar sipas planit gjatë punimeve, tash varet si e shiqojnë projektin. Gjithçka është sipas marrëveshjes, gjithçka është duke shkuar në përcjellje të plotë nga inspektorët e ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe nuk do të ketë asnjë shmangie nga marrëveshja dhe ajo që është e ditur dhe zyrtarisht e shkruar”, sqaroi Shala për Express.

Madje ai insistoi se nuk do të ketë asnjë lloj lëshimi nga projekti dhe se as nuk ka tendenca për këtë.

Raportohet se në vend të vazove të betonit, serbët kanë ngritur dy mure rreth një metër të lartë dhe rreth një metër larg njëri-tjetrit, në vend të murit që është rrënuar në pjesën veriore të urës, në rrugën “Mbreti Petër I”.

Pjesa në mes të këtyre dy mureve do të mbushet me dhe, e cila do të gjelbërohet.

Kujtojmë se një mur që u ndërtua në po këtë pjesë të Mitrovicës zgjoi polemika të ashpra në mes të zyrtarëve serbë dhe atyre kosovarë.

Muri ilegal i ngritur nga strukturat paralele serbe në veriun e Mitrovicës, u rrënua më 5 shkurt pas një marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe atyre serbë e ndërmjetësuar nga BE.

Temat
LajmeVend

Të afërta