Prokurori: Aktivistët e VV-së u prezantuan si rahovecas kur blenë motoçikletën që kryen sulmin në Kuvend

Prokuroi Abdurrahim Islami, gjate seancës së dytë të shqyrtimit fillestar të aktakuzës për terrorizëm, të ngritur ndaj 4 aktivistëve të VV-së, për sulmin e 4 gushtit në Kuvendin e Kosovës, ka cekur se sipas dëshmitarit, i cili ka qenë shitës i motoçikletës me të cilën u krye sulmi, dy të akuzuarit Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, bashkë me të ndjerin Astrit Dehari ishin prezantuar që vinin nga Rahovci, raporton Gazeta Express.

Këtë prokurori e ka potencuar, pasi i akuzuari Frashër Krasniqi më herët gjatë seancës, në një analizë të aktakuzës që e lexoi në Gjykatë, tha se në aktakuzë dhe në kallëzimin penal ndaj tyre, thuhet se shitësi i motoçikletës ka deklaruar se e folura e tre personave ka qenë me akcentin e të folurit nga rajoni i Rahovecit.

Por kjo u kundërshtua nga prokurori i cili tha se po keqinterpretohet, pasi ata u prezantuan si rahovecas, e jo që e kishin të folurën të tillë.

Prokurori Islami tutje përmendi faktin se në seancën e parë për caktimin e paraburgimit, Atdhe Arifi ka pranuar se e ka blerë motorin, dhe se me të kanë qenë edhe Egzon Haliti dhe Astrit Dehari, ky i fundit tanimë i ndjerë.

Temat
LajmeVend

Të afërta