Reagon BE: Keq që nuk po realizohen marrëveshjet për vizitat

Bashkimi Evropian është duke ndjekur ngjarjet në veri të Kosovës, e në veçanti në lidhje me vizitat e politikanëve serbë në prag të zgjedhjeve presidenciale që mbahen të dielën.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic ka deklaruar se mirëpresin vizitat e tilla të planifikuara në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, por që sipas saj është për keqardhje që ato nuk janë realizuar.

“Është për të ardhur keq se si kohëve të fundit vizitat e planifikuara në bazë të këtyre marrëveshjeve nuk po realizohen. Ne kemi marrë raporte rreth bllokimit të rrugëve, duke parandaluar njerëzit që të marrin pjesë sot në tubimet në veri të Kosovës. BE-ja kërkon nga autoritetet përkatëse në Kosovë që të sigurojnë kushtet për njerëzit që dëshirojnë të marrin pjesë në këto tubime”, ka thënë Kocijancic, transmeton KosovaPress.

Sipas zëdhënëses të Bashkimit Evropian, OSBE-ja duhet të mandatohet për të lehtësuar mbledhjen e votave për zgjedhjet presidenciale serbe në Kosovë në bazë të praktikës së krijuar nga rastet e mëhershme, në përputhje me marrëveshjet përkatëse të arritura në kuadër të dialogut.

Në Leposaviq sot është dashur që të vijë edhe kryeministri Aleksandër Vuçiq, i cili është edhe kandidat për president të Serbisë. Por ai e ka anuluar vizitën e tij pasi që Qeveria e Kosovës i ka lejuar vizitën por me kushtëzime.

Në fushatën zgjedhore që mbahet sot në Leposaviq pritet të marr pjesë drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Temat
BotëLajmeRajonVend

Të afërta