Futbolli shqiptar në zi (Foto)

Një ndër emrat më të mëdhenj të futbollit të Durrësit dhe të futbollit shqiptar, Niko Bespalla, është ndarë sot nga jeta. Ish-sulmuesi i famshëm ka luajtur më shumë se 400 ndeshje ne karrierën 20-vjeçare, në kampionate, kupa, por edhe në sfida ndërkombëtare.

Ky futbollist do të mbahet mend për kontributin e tij në vitet ’60 me skuadra si Teuta, Partizani dhe Dinamo, por edhe me përfaqësime me fanellën e Shqipërisë.

Lindur në vitin 1938, Bespalla hodhi hapat e para si futbollist në Shijak dhe spikati në kampionatet lokale në Durrës, derisa u thirr nga Lokomotiva e Durrësit (Teuta aktuale).

Në vitin 1956 Lokomotiva u shpall kampione e republikës për të rinj, me Bespallën kapiten.Më pas Lokomotiva e mori në ekipin e parë, ku drejtonte Adem Karapici.

Vetëm një sezon në Durrës, në vitin 1957, dhe Bespalla ra në sy, duke u shpallur shënuesi më i mirë në Shqipëri, me 17 gola, ndërsa Lokomotiva mbërriti deri në finalen e Kupës së Republikës kundër Partizanit, ku i madhi Sulejman Maliqati i priti një penallti Bespallës.

Pak ditë më vonë Bespalla u thirr ushtar dhe u transferua te Partizani, ku luajti në periudhën 1957-1960, duke fituar 2 kampionate dhe një Kupë Shqipërie.

Në vitin 1961 erdhi kalimi i bujshëm te Dinamo, zgjedhje personale e Bespallës, i cili ishte edhe tifoz me Dinamon, ku luajti për thuajse dy vite, para kthimit tek Erzeni e më pas te Lokomotiva, ku luajti për disa vite.Edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti Armand Duka i kanë shprehur ngushëllime familjes Bespalla.

I gjithë komuniteti i futbollit përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bespalla e të afërmeve të tyre.

Temat
RajonSport

Të afërta