Pentagoni heton vrasjen e civilëve në Irak

Ushtria amerikane po shqyrton mbi 700 regjistrime video gjatë një periudhë 10 ditore të sulmeve ajrore në Mosul, për të gjetur nëse janë të vërteta njoftimet se sulmet kundër Shtetit Islamik kanë shkaktuar vrasjen e rreth 100 civilëve në Mosul.

Pentagoni ka thënë se një rishikim paraprak tregon se sulmet ajrore më 17 mars ishin pranë vendndodhjes ku thuhet se pati viktima nga popullsia civile në Qytetin e Vjetër të Mosulit. Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se ushtria po i shqyrton me seriozitet të madh njoftimet.

“Nuk ka forcë ushtarake në botë që të jetë treguar më e ndjeshme ndaj viktimave civile. Jemi të vetëdijshëm se çdo fushë betejë, ku armiku fshihet pas grave dhe fëmijëve, është gjithashtu një zonë humanitare dhe bëjmë të pamundurën që të pakësojmë humbjet e jetëve apo plagosjet mes njerëzve të pafajshëm. Kjo nuk mund të thuhet për kundërshtarët.”

Një zëdhënës i Pentagonit tha se, ata që po shqyrtojnë situatën shpresojnë se pamjet filmike mund të ofrojnë qartësi mbi njoftimet për shpërthime dytësore, për të cilat mediat kanë fajësuar Shtetin Islamik.

Ushtria irakiane ka ofruar prova të reja për viktimat e 17 marsit, që tregojnë se luftëtarët e Shtetit Islamik kishin vënë eksplozivë në vendin ku ndodhën shpërthimet.

Forcat irakiane, me mbështetje ajrore nga koalicioni, po përpiqen të rimarrin kontrollin e pjesës perëndimore të Mosulit që kontrollohet nga Shteti Islamik që nga mesi i vitit 2014.

Besohet se rreth gjysmë milion njerëz ndodhen në zonat e Mosulit të kontrolluara nga Shteti Islamik, ku shumë prej tyre po përdoren si mburoja njerëzore.

Popullsia civile, grupe të ndihmave dhe vëzhgues kanë paralajmëruar rreth mundësisë së shtimit të viktimave mes civilëve si rezultat i kërkesave në rritje për sulme ajrore dhe me artileri.

Temat
BotëLajme

Të afërta