Déjà vu – si formohet në mendjen tonë?

Teoritë e ndryshme mbi një ndjesi, që shumëkush e ka të njohur, por që është ende e vështirë të interpretohet

Hapni një portë dhe për një moment, do ju pushtojë një ndjesi familjariteti: këtë vend e kam parë një herë, këtë situatë e kam përjetuar, ndoshta e kam ëndërruar. Eshtë deja vu, dhe e përjetojnë 60-80 përqind e njerëzve. Nga se shkaktohet?

Origjina nuk është ende krejt e qartë, sepse studimi në laborator është praktikisht i pamundur (nuk vjen “me komandë”). Sidoqoftë, hipotezat janë në dy binarë kryësorë: njëri ka të bëjë me aktivitetin elektrik të trurit, tjetri me sistemin e ruajtjes së kujtimeve dhe marrëdhënien e tij me perceptimin e botës së jashtme.

Qark i shkurtër

Ndonjë tregues mbi shkaqet neurologjike të kësaj ndjesie vjen nga personat e prekur prej epilepsisë së lobit temporal, ajo pjesë e korteksit të secilës hemisferë të trurit, që luan një rol kyc në ruajtjen e kujtimeve afatgjatë. Pjesë të lobeve temporale janë të përfshira edhe në përpunimin e ndjesisë së njohjes, pra në dallimin e situatave të njohura.

Disa pacientë epileptikë kanë një ndjesi deja vu-je pak përpara një ataku epilepsie. Duke qenë se epilepsia karakterizohet nga shqetësime në impulset elektrike që “ndezin” neuronet, mund të hipotizohet se deja vu-ja është një “problem teknik” i përkohshëm i trurit, ku neuronet përgjegjës për ndjesinë e familjaritetit ndizen duke bërë të ngatërrohet e tashmja me të shkuarën.

KALIMI I MUNGUAR

Teori të tjera e shohin deja vu-në si pasojë të një korrespondence të munguar mes rrugëve nervore. Për shembull, ndodh shpesh që një parfum na sjell në mendje një eksperiencë të parë. Në disa raste, mund të ndodhë që një informacion shqisor të arrijë direkt në “magazinën” e kujtesës afatgjatë, pa kaluar në atë afatshkurtër (depozita e përkohshme që mban për pak sekonda informacionet e reja, para se të formojë me to një kujtim solid, ose në të kundërt, t’i harrojë). Ky “kapërcim” mund të shkaktojë ndjesinë sikur e kemi përjetuar një herë atë që në të vërtetë është gjë e re.

DY PERPUNIME NE VEND TE NJERIT

Mund të ndodhë edhe me perceptimin pamor: kur shohim dicka, shumë informacione shqisore përshkojnë disa ndjesi nervore para se të arrijnë në qendrat e larta të trurit. Mbërrijnë të gjitha pak a shumë në të njëjtën kohë, dhe më pas integrohen. Por nëse truri i përpunon në dy momente të ndryshme, stimuli i dytë mund të bëjë që i pari të na duket si i njohur, domethënë i përjetuar tashmë një herë.

Temat
Fun

Të afërta