LSDM-ja siguroi edhe firmat e Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa ia kanë deponuar firmat e deputetëve të tyre liderit të LSDM-së Zoran Zaev me qëllim që të mund ta marr mandatin për qeverinë e re.

Kreu i LR PDSH-së Zijadin Sela, para fillimit të Kuvendit Qendror të Aleancës në një deklaratë për Alsat tha se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi në qeveri, por u shpreh kategorik se pa plotësimin e pikave të platformës së partive shqiptare Aleanca nuk do të bëhet pjesë e ekzekutivit.

Pjesëmarrja jonë në qeveri është e kushtëzuar me platformën tonë politike. Sepse realisht çfarë kuptimi do të kishin zgjedhjet dhe qeveria nëse ne do të bëheshim pjesë e një qeverie ku do të zbatohen platformat dhe programet e partive tjera.

Një ndër kushtet kryesore është ligji për gjuhën, zbardhja e proceseve të montuara politike, dekriminalizimi i kësaj shoqërie dhe institucioneve dhe kuptohet zhvillimi ekonomik me qëllim që të ndalim shpërnguljen e cila është e madhe në mesin e popullatës në Maqedoni.

Prandaj nuk do të hyjmë në qeveri sa për të qenë kukull, por do të hyjmë në momentin që do të plotësohen kushtet që i kemi parashtruar – deklaroi Zijadin Sela, Kryetar i LR PDSH.

Ndërkohë informacionet se Aleanca për Shqiptarët nënshkrimet i ka kushtëzuar edhe me poste ministrore, Sela i quajti spekulime. Aleanca për Shqiptarët së fundi ka zhvilluar edhe bisedime me grupet e punës të BDI-së dhe LSDM-së. Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, Aleanca për Shqiptarët fitoi 3 mandate deputetësh./Almakos/

Temat
LajmeRajon

Të afërta