Zbulohet jetë 60,000 vjeçare në kristalet e një shpelle në Meksikë.

Miniera Naica në Chihuahua (Meksikë) prodhon zink, plumb dhe argjend dhe kristalet e gipsit që e kanë bërë këtë minierë të famshme midis koleksionuesve të gurëve. Por, hulumtuesit e NASA-s nxorën diçka tjetër nga kjo minierë: mikrobe që kanë mbijetuar duke u ushqyer me sulfite, oksid bakri dhe mangan që ndodhen me bollëk në depozitat e mëdha të krijuara përgjatë mijëra vjetëve.

“Kjo ka ndikim të thellë në mënyrën se si përpiqemi ta kuptojnë historinë evolutive të jetës mikrobiale në këtë planet”, tha Penelope Boston, drejtoreshë e Institutit të Astrobiologjisë në NASA.

Mikrobet, disa prej të cilave ishin 60,000 vjeçare, ndodheshin në një gjendje jetësore të pezulluar, por jo të vdekura, kur hulumtuesit i gjetën. Por, ata arritën të rigjallëronin shumë prej këtyre organizmave.

Zbulimi është veçanërisht i rëndësishëm për astrobiologët, të cilët kërkojnë për jetë përtej kufijve të planetit tonë. Nëse organizmat mund të mbijetojnë për mijëra vjet të mbyllura brenda mineraleve duke u ushqyer me substanca që zakonisht nuk përdoren nga qeniet e gjalla, atëherë mikrobet e ngecura nëpër meteorite në hapësirë mund të mos duken dhe aq të panatyrshme.

“Nëse sjellim kampione nga Europa ose Marsi ne do t’i mbajmë nën kontroll derisa testet e rrezikshmërisë të tregojnë se nuk ka as rrezik dhe as jetë ose do ta vazhdojmë kontrollin pafundësisht ndërkohë që e studiojmë materialin”, tha John Rummel nga instituti Seti. Ai shtoi “supozohet se një jetë e tillë do ta kishte të vështirë t’i mbijetonte një udhëtimi në Tokë”.

Temat
Fun

Të afërta